Gazetari Xhemajl Rexha ishte këtë të premte në shtëpinë e policit i cili mbeti i vrarë të dielën gjatë një sulmi nga një grup kriminal serb.
Rexha tha se në shtëpinë e heroit të ndjerë vazhdojnë të shkojnë njerëz të cilët shprehin ngushëllimet dhe nderimet e tyre për policin e vrarë në krye të detyrës, ndërsa tha se një moment shumë i veçantë për të ishte edhe takimi me djalin e të ndjerit, i cili dukej se ndihej krenar për babain e tij.
“Kemi folur me vajzën e heroit Bunjaku, me vëllain e me motrën dhe të gjithë na kanë thënë se janë krenar që Afrim Bunjaku ka rënë në krye të detyrës, duke mbrojtur sovranitetin e shtetit të Republikës së Kosovës. Momenti më prekës ishte kur arritëm në fshat dhe po kërkonim shtëpinë.
Ne pamë dy fëmijë dhe i pyetëm se ku është shtëpia e policit të rënë në detyrë dhe një çun 10-vjeçar, mjaft simpatik, u afrua dhe më tha, “unë jam djali i heroit”. Ishte Fatlumi 10-vjeçari njëri nga tre fëmijët që la pas Afrim Bunjaku. Këtu ka shumë trishtim, por edhe shumë krenari që Afrim Bunjaku ka rënë duke mbrojtur kufirin e Kosovës./m.j