Investimi në tituj qeveritarë po vijon të mbajë zgjuar interesin e qytetarëve dhe sipërmarrësve shqiptarë, pavarësisht rënies së normave të interesit. Në ankandin e së enjtes, ndonëse qeveria kishte kërkuar 7,2 miliardë lekë, investitorët ofruan plotë 10,9 miliardë lekë në bono thesari 12-mujore. Ndërkoha, normat e interesit mbeti e pandryshuar në 3.15 për qind, njëjtë me atë të ankandit të fundit të gushtit.
Vitin e shkuar, qeveria ndërmori një fushatë duke ftuar qytetarët dhe sipërmarrjet të investonin në tituj me vlerë. Kjo u shoqërua edhe nga normat e kënaqshme të interesit të cilat në janari ishin mbi 5 për qind për të rënë në rreth 4 për qind në shkurt dhe mars. Krahasuar me fillimin e vitit, normat e interesit për bonot e thesarit 12-mujore kanë rënë me gati 2.19 pikë përqindje.
Rrjedhimisht kjo ka reflektuar edhe te sasia më e ulët e parave që qeveria ka mundur të marrë nga tregu i brendshëm. Të dhënat nga Banka Qendrore tregojnë se nga gati 174 miliardë lekë në harkun e muajve janar-shtator të një viti më parë, huamarrja me anë të bonove të thesarit 12-mujore ka rënë në më pak se 170 miliardë lekë në këto 9 muaj të këtij viti.
Megjithatë rënia e normave të interesit të bonove të thesarit, një ndër përcaktuesit direkt të kësteve të kredive në lekë mund të jetë një lajm i mirë për kredimarrësit shqiptarë të cilët do të nxjerrin ca para më pak nga xhepat.
/a.r