Kryeparlamentari Ilir Meta ka takuar sot anëtar i Komitetit të Mbrojtjes në Bundestagun gjerman Florian Hahn, me të cilin ka ndarë çështje të ndryshme të aktualitetit. Meta shprehu kënaqësinë për intensifikimin në rritje të shkëmbimeve parlamentare me Gjermaninë dhe padyshim edhe me Bavarinë. Kreu i Kuvendit deklaroi se Shqipëria mbështet tek Gjermania për të ardhmen e saj evropiane.
“I njohur interesimi tradicional i Bavarisë dhe CSU-së për Shqipërinë. Kemi biseduar për çështje të ndryshme me interes reciprok dhe kemi ndarë pikëpamje të përbashkëta për perspektivën e vendit tonë, në mënyrë të veçantë për reformat dhe reformën në drejtësi, ku gjermania po jep mbështetjen e saj të spikatur. Padyshim që miratimi me sukses i kësaj reforme do të jetë një argument i rëndësishëm për të ecur drejt çeljes së negociatave por edhe për të përmirësuar klimën e biznesit në vendin tonë dhe për të tërhequr investimet e huaja”, tha Meta.
Një tjetër çështje mes dy zyrtarëve ka qenë edhe situata e refugjatëve. “Kemi diskutuar edhe për situatën në rajon, për të forcuar bashkëpunimin rajonal dhe bashkëpunimin e vendeve tonë me BE-në në kuadër të sfidave të reja siç është përballimi i krizës së refugjatëve që është një shqetësim serioz që ka të bëjë me stabilitetin e rajonit tonë dhe ruajtjen e vlerave të BE-së. Shpreh kënaqësinë për interesimin në rritje të Gjermanisë e në mënyrë të veçantë të CSU-së ndaj vendit tonë”, u shpreh Meta.
BW