Kuvendi i Kosovës e ka miratuar të enjten një rezolutë, e cila dënon sulmin ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit dhe përmend nevojën e një hetimi ndërkombëtar.
Rezoluta është miratuar me 97 vota “pro”, asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.
Në prezantim të rezolutës, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, u shpreh se ky institucion e dënon sulmin ndaj Policisë së Kosovës në termat më të ashpër, “sulmin terrorist të organizuar nga Republika e Serbisë mbi Policinë e Kosovës dhe kërkon nga komuniteti ndërkombëtar që ta ushtrojë ndikimin e tij për ta ballafaquar Serbinë me rolin e saj në raport me organizimin dhe çfarëdo mbështetjeje që i ka bërë grupit terrorist për sulmin në veri të Republikës së Kosovës”.