Policia në Malësi të Madhe ka mundur të zbulojë ngjarjen e mbrëmjes së të mërkurës ku mbeti i plagosur një 28-vjeçar.
Në lidhje me këtë rast, janë vënë në pranga Ibrahim Bushataj dhe Sadonel Bushataj, babë e bir. Si autorët dhe i plagosuri janë banues në fshatin Demiraj.
“Vihen në pranga 2 shtetas (babë e bir) që dyshohet se plagosën me armë zjarri 28-vjeçarin, gjatë konfliktit mes tyre, mbrëmjen e djeshme, në fshatin Demiraj. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, në vijim të veprimeve hetimore për zbardhjen e rrethanave të konfliktit të ndodhur mbrëmjen e djeshme, në fshatin Demiraj, arrestuan në flagrancë shtetasit Ibrahim Bushataj, 59 vjeç dhe Sadonel Bushataj, 18 vjeç (babë e bir), banues në fshatin Demiraj, Malësi e Madhe”, njoftoi policia.
Dyshohet se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta. 28-vjeçari ka marrë një plumb në shpatull, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
/a.r