Ashtu siç premtoi gjatë seancës së ndërmjetësimit të 10 Shtatorit në “Shihemi në Gjyq”, Eni Çobani i është drejtuar fshatit Lapardha në Berat për të takuar prindërit e dy motrave, Ermonetës dhe Majlindës.
Një vendim gjyqësor i formës së prerë ka nxjerrë nga shtëpia Aliun dhe Zymbylen, dy të moshuarit sepse sepse fëmijët e xhaxhait të vajzave kanë fituar të drejtën e pronësisë së shtëpisë. Tani çifti i moshuar jeton në kushte shumë të vështira në një magazinë buzë lumit. Eni Çobani fillimisht i njeh ndjekësit me ta përmes videos.
Eni Çobani: Jemi në Lapardha me Aliun, me Zymbylen. Majlinda, ku je Majlinda? Hajde se ty duan të të shikojnë shqiptarët se je zënë me motrën kështu që… Neta!
Ali: Motër e katërt!
Eni Çobani: Kam ardhur këtu, shikoj një situatë deri diku të dhimbshme, Aliu bashkë me Zymbylen thashë edhe njëherë, unë për këtë zonjën kam ardhur këtu, për zonjën Zymbyle.
Zymbyle: Faleminderit shumë!
Eni Çobani: Të të njohin edhe shqiptarët kush je se unë të kam përmendur shumë!
Zymbyle: Faleminderit shumë!
Eni Çobani: Pra, besoj të tërë e kujtoni rastin e Majlindës…
Ermoneta: Zonja Eni, je një avokate e shkëlqyer!
Eni Çobani: Jo, jam njeri, në radhë të parë jam njeri, Neta. Avokatë e këto vijnë pas, por të jesh njeri është gjë shumë e madhe, duam njerëz t’i kemi afër.
Majlinda thotë se ende nuk është kthyer në Amerikë për shkak të situatës së ndërlikuar dhe shkon çdo ditë në polici. Ndërmjetësja e rubrikës së programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan bën me dije se çështja ka përfunduar në gjykatë dhe i është bërë ftesa edhe familjes tjetër për të dhënë versionin e saj të historisë.
Eni Çobani: Familja tjetër në krah ka pasur ftesën nga unë që të vijë, të më takojë, të më thotë edhe ajo pretendimet e saj por kanë preferuar që jo. Prapë i dua fort, ne do takohemi në gjyq pa diskutim sepse do dalë e vërteta. Ne nuk kërkojmë të marrim pronën e askujt, kërkojmë vetëm pronën e këtij zotërisë që e ka bërë me djersë 60 vjet.
Ka jetuar, ka ndërtuar familjen e tij, për fatin e keq ka humbur jetën edhe një fëmijë i zonjës Zymbyle dhe atë fotografinë e ka akoma te muri atje, kështu që është shumë e rëndë. Hapeni zemrën, flasim për njerëz të familjes, as për komshi dhe njerëz të huaj, për xhaxha, nip dhe mbesë. Pra është shumë e vështirë.
Eni Çobani shprehet se është filmuar edhe shtëpia e mjeruar ku po qëndron çifti i të moshuarve dhe shumë shpejt do të ndajë pamjet edhe me publikun. Në fund, ajo thotë se do luftojë për të dalë e vërteta që prona të shkojë tek i zoti.
Eni Çobani: Erdhëm pamë një realitet nga afër, e prekëm ashtu siç duhet. Këta njerëzit do t’i kthejmë prapë te ajo dhoma e tmerrshme që ju do shikoni në video që unë e kam filmuar, jo pa qëllim, që të shikoni se ku jetojnë dy moshatarë, ikin nga kjo shtëpia që kanë ndërtuar 60 vjet dhe shkojnë në një dhomë që është muri i krisur, tavani po bie, lagështira është e jashtëzakonshme dhe këta njerëz tani do shkojnë atje.
Kjo për mua është e papranueshme prandaj do luftoj deri në fund të dalë thjesht dhe vetëm e vërteta. Nuk duam t’i marrim askujt asgjë, të më dëgjojë edhe familja tjetër. Më thonë banorët që është duke më bërë edhe video. Unë jam e kënaqur që më bën video familja tjetër, biles i dua t’i kem edhe në krah pa diskutim, biles me juve këtu po iu kthehem t’ua bëj edhe me dorë, ‘përshëndetje, ju dua shumë’ kështu që pa diskutim që i dua jashtë mase edhe ato, por prona do shkojë tek i zoti dhe kjo është fjala ime e fundit.