Ndërsa GJKKO ka nisur gjyqin për Fatmir Mediun lidhur me masakrën e Gërdecit dhe hetimet po vijojnë, ende pas 15 vitesh nuk ka drejtësi, ndërsa për herë të parë kërkohet edhe dëshmia e Shkëlzen Berishës. Deputeti socialist, Petro Koçi, deklaroi gjatë një interviste për gazetën “SOT” se organet e drejtësisë duhet të marrin si provë procesverbalin e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, të thirrur më 21 mars 2008 nga ish-presidenti Bamir Topi një javë pas tragjedisë së Gërdecit.
Dëshmitë e të gjithë pjesëmarrësve do të ishin mjaft të vlefshme për gjykatën dhe hetimet në fazën e procesit gjyqësor ku ndodhen momentalisht. Ndërkohë deputeti Koçi theksoi se tragjedia e Gërdecit, sipas tij, është skemë korrupsioni që solli aksident teknologjik. Po ashtu, ai flet edhe provat që zhduku Sali Berisha për të mbuluar masakrën e 21 Janarit.
-Ndërkohë në dijeninë tim ka qenë një mbledhje e rëndësishme e Këshillit të Sigurisë pak vite më parë pak ditë pas shpërthimit të Gërdecit, çfarë ka ndodhur në atë mbledhje, pasi ju keni qenë pjesë në atë takim?
Nuk kishte ndonjë gjë konkrete, por kuptohet që ishte absurde që në një kohë aq të shkurtër të kishe nxjerrë aq konkluzione. Pra, kjo u vu re. Dukej që donte të shmangej nga përgjegjësia përkatëse që i takonte Ministrisë së Mbrojtjes. Çdo institucion mundohej ta hiqte përgjegjësinë nga vetja dhe flisnin për përgjegjësi të të tjerëve. SPAK duhet ta marrë si provë, procesverbalin e mbledhjes. Nuk është materiali i vetëm që mbështet hetimi dhe gjykimi i çështjes, por besoj shërben për t’iu referuar provave të tjera që ka SPAK.
-Çfarë kërkonte presidenti Bamir Topi në atë kohë?
Mbaj mend që kërkonte që çdo institucion të fliste për përgjegjësit e veta. Çdo institucion mundohej ta hiqte përgjegjësinë nga vetja. Ky ka qenë reagimi i gjithëve, secili fliste për përgjegjësit të tjerëve. Ishte më shumë një lloj formaliteti, se sa një mbledhje ku flisni zyrtarë të përkushtuar për të reflektuar mbi ngjarjen.
-Ka pasur debat mes Mediut dhe Luan Hoxhës?
Po ka pasur një lloj bisede, ku të paktën pjesa ushtarake mundohej të mos pranonte asnjë lloj përgjegjësie. Njëri nga reagimet e mia ky ka qenë, se unë mendoja se përgjegjësia nuk duhej të ishte e përqendruar në një nivel. Aty gjithçka ka ndodhur në administrimin edhe të drejtorisë që merret me armatimet, por ishte struktura ushtarake e përfshirë, edhe nëse çmendet politika disa institucione duhet të jenë të shenjta si Garda, Shërbimi Informativ, këta janë simboli i interesit kombëtar. Kur flasim për 21 janarin është e paperceptueshme që komandanti i Gardës të bëjë ato lloj veprimesh.
-Cilat kanë qenë arsyetimet e zotit Mediu?
Ne ishim të dominuar nga logjika ishte të gjithë këta mbanin përgjegjësi, dhe më e rënda ishte se ja kalonin përgjegjësinë shërbimeve të huaja. Kjo për mendimin tim është vërtetë një fakt i cili dëshmon se përgjegjësia është tek këta që mundohen ta devijojnë fajin tek dikush tjetër. Për mua atje kishte korrupsion, shpërdorim detyre dhe neglizhenca të natyrës teknike, por që shpërthimi i armatimit nxori në pah edhe korrupsionin e madh të asaj afere. Është një aferë shumë komplekse.
-Mendoni se duhet të ketë rigjykim për ata që kanë abuzuar?
Kjo varet nga provat, për çdo çështje kur fillon updatohet me dëshmi të reja rihapet dhe rijetohet.
-Kur mbani mend që është folur që edhe Shkëlzeni ishte i përfshirë në këtë ngjarje, ato ditë flitej për të apo më vonë?
Ato ditë fliste Kosta Trebicka dhe ai akuzonte familjen Berisha. Kosta ishte një njeri që u bë publik në atë kohë dhe mbaj mend që më thoshte se janë takuar me Shkëlzenin për të folur për procesin, fishkët etj. Ai duhet të kishte më i kujdesshëm sepse edhe eliminimi i tij është për të ngritur pikëpyetje. Kosta kishte interesat e tij në atë lloj biznesi dhe afere dhe e konsideronte veten të shmangur padrejtësisht. Ai akuzonte pushtetin për ndërhyrje në një biznes, që sipas tij i takonte atij. Fliste edhe për çmimet gjërat, mesa mbaj mend. Ai akuzonte familjen Berisha.
-Sipas jush, besoni se SPAK është në rrugën e duhur për t’i shkuar deri në fund kësaj ngjarje?
Deri tani nuk janë pyetur dëshmitar të rëndësishëm, Berisha mungon, edhe ish-shefi i shtabit Luan Hoxha mungon. Pra unë besoj se ka vend për të guxuar për dëshmitarë të rinj. Deri dje drejtësia e ka pas të pamundur të prekte nivele të larta të politikës, konsideroheshin të paprekshëm dhe të frikshëm. Situata ka ndryshuar dhe ka ndryshuar dukshëm. Nuk është tabu të thërrasësh Berishën në SPAK, pse jo për të filluar hetim nëse provat tregojnë se dikush është në faj.
-Mund të ketë një zhdukje të provave apo provat janë aty tashmë?
Kjo është çështje e ekspertizës së fushës sepse se di se çfarë mund të jetë e zhdukshme, por njerëzit janë aty. Është folur për një përgjegjësi e familjes Berisha edhe Trebicka si thashë e bënte përgjegjës. Kishte një lloj, cenim të interesit të vet, por mua të paktën për standardin tim të moralit politik më dukej e papranueshme që djali i një kryeministri të përfshihej në një lloj biznesi apo afere që kishte të bënte edhe me sigurinë. Më dukej edhe një gjë e çuditshme.
-Ku shikoni pika të përbashkëta me Gërdecin dhe 21 janarin?
Në të dyja ngjarjet ka përgjegjësi qeverisje politike pa dyshim. 21 janari në përmasa në numër dëmesh është më e vogël, por është faj më i dukshëm sepse ngjarja ka ndodhur nën këqyrjen e kamerave televizive, nëse në Gërdec ka qenë aksidentale shpërthimi në 21 janar janë njerëzit që kanë qëlluar mbi protestues dhe kanë pasur në krye ministër i mbrojtjes, kryeministër, i cili ky i fundit fshiu edhe regjistrimet e kamerave brenda kryeministrisë sepse s’ka dashur të zbulohet se kush njerëz hyn dhe dolën nga kryeministria atë ditë.
-Keni një apel për SPAK?
SPAK ka ndezur shpresën e njerëzve se në këtë vend mund të bëhet drejtësi ndaj kujtdo, apeli im është që të guxojnë më tej sepse doja dalin. Dy janë momentet më të rëndësishme për vendin, kur Shqipëria është bërë me Kushtetutë dhe kur u bë reforma në drejtësi, pasi është reforma mbi çdo reformë që në një farë mënyre do të vërë pikat mbi i mbi shumë gjëra që kanë ndodhur në këtë vend.