Analisti Baton Haxhiu thotë se grupi terrorist në Kosovë që vrau një efektiv të Policisë së Kosovës, është i rebeluar kundër Presidentit serb Vuçiç dhe institucioneve të Kosovës.
I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Baton Haxhiu mendon se kjo situatë ndodhi për shkak të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë që sipas tij është në fund të këtij procesi.
“Është fundi i procesit, do të thotë ka një marrëveshje. Kjo marrëveshje i bën të pavlerë këta njerëz. Për herë të parë, të gjithë të vrarët janë vrarë nga snajperët e Policisë së Kosovës dhe janë të fotografuar. Ne e kemi dhënë lajmin e parë për 3 të vrarë për arsye se kemi pasur komunikim me njerëzit që kanë qenë në pikën e aksionit. I kemi miq dhe kemi një përvojë të jashtëzakonshme për njësinë speciale dhe kanë cakun e parë dhe lejen e parë për sulm e kanë marrë diku në mëngjes.
Grupi që ka hyrë këtu mendoj që grupi i rebeluar politikisht me prapavijë të shërbimit sekret që ka pasur prekje ruse dhe të formacioneve të tjera. Ka pasur dhe mercenarë rusë. Grupi i cili është i ka 2 rebelime. Të pari e ka kundër Vuçiç dhe të dytin kundër institucioneve të Kosovës dhe dëshirojnë prezencën e tyre në veri duke luajtur rolin e atyre formacioneve që ne i quanim AKSH. Këta janë grupi radikal brenda institucioneve të Serbisë”.
Sipas analistit Haxhiu, pritej që të ndodhte një sulm i tillë. Ai thotë se edhe Qeveria e Kosovës ka patur informacione për një sulm që mund të ndodhte, por shton se ndoshta jo të këtyre përmasave.
“Qeveria e Kosovës ka pasur informacione disa javë më herët që po përgatitej një gjë e tillë. Dhe ne e kemi pritur. Fakti që kishte ngërç politik mes Serbisë dhe Kosovës vetëm pritej dita kur do niste sulmi ndaj Policisë së Kosovës. Ne kishim vetëm frikën se cilët policë do vdesin faktikisht. Policia e Kosovës është e rrezikuar në çdo pikë të veriut të Kosovës. Ata janë viktimat e para. Ky formacion ushtarak realisht ka hyrë për destabilizim total të veriut”.
Baton Haxhiu analiston se grupi terrorist serb u strehua brenda manastirit të Banjskës me qëllimin për t’u flijuar. Por, Haxhiu vlerëson punën profesionale të Policisë së Kosovës.
“Ekziston një farë mendimi të një qytetari serb që flijim brenda një institucioni fetar është i shenjtë dhe kur kanë hyrë në manastir, analiza e parë kanë hyrë të flijohen. Gabimin që e kanë nënçmuar Policinë e Kosovës që janë të trajnuar jashtëzakonisht mirë nga ndërkombëtarët. Pse Policia e Kosovës ka merita të jashtëzakoshme? Brenda manastirit nuk ka sulmuar askënd për arsye se do rebeloheshin serbët. Në manastir forcat policore nuk guxojnë të hyjnë pa një marrëveshje. Ata kanë menduar, po supozoj, që do sulmojnë forcat e Policisë së Kosovës dhe aty do realizohej plani i tyre. Manastiri ka një tunel, kurse vendi ku gjendet manastiri është i papërshtatshëm për luftë. Ndoshta më i keqi i mundshëm në Kosovë. Për faktin që kanë menduar do ketë luftë, Policia e Kosovës ka vendosur ta rrethojë perimetrin dhe jo të gjuajë brenda manastirit dhe ata 3 të parët janë vrarë që në fillim. Nga mesdita ka filluar negociimi. Është negociuar”.
/a.r