Kryebashkiaku Erjon Veliaj i ftuar sot në emisionin e mëngjesit “Koha për tu zgjuar” në News 24 komentoi protestën e fundit të shoqërisë civile për parku e lodrave tek liqeni. Sipas tij dhuna dhe mbrojtja e pemëve janë dy gjëra që nuk shkojnë bashkë.
“Dhuna nuk është zgjidhje, jam një njeri që e kam lëkurën të trashë, ngaqë shahem. Nuk pranoj justifikime që ushtrojnë dhunë mbi policët, kemi një polic të goditur me bisht lopate në stomak”.
Veliaj tha se do vijojë punët në kryeqytet me qëllim që “pas 4 vitesh njerëzit të thonë që e sulmuan e shanë po ai ka bërë punë në 4 vite”.
Duke kujtuar kohën kur ishte kreu i MJAFT, Veliaj tha se kurrë nuk e ka përdorur dhunën si mjet proteste.
“Jam ulur në bisedime edhe me Fatos Nanon, edhe pse s’më ka pëlqyer. E kam dhënë mesazhin tim edhe pa përdorur dhunë, po këta janë surrogato, kopje e shëmtuar e MJAFT që përdorin dhunë. Njerëz civilë që duan të mbrojnë pemët e kanë të haur derën e bisedimeve. Jam super i qetë, super me gjak të zbutur në çdo moment që duan të matrikulojnë çdo pemë, të ndjekin punimet..”
Veliaj komentoi edhe protestën e banorëve tek Stacioni i Trenit aty ku tha se është rënë dakord me qytetarët pronarë të tokës dhe të ndërtesave. “Çmimet për kompensimin i cakton këshilli i ministrave. Bashkia është institucioni që shpërndan kompensimet. Pronarët legjitimë e kanë marrë përgjigjen, zgjidhjet janë dhënë”.
Ndërsa për protestën e tregtarëve, Veliaj shtoi se: “Tregtarët, sot nuk janë më të pakënaqur, veç ata që e përdorin protestën për qëllime politike. Ka njerëz që ëndërrojnë botë pa taksa, por kjo do të thotë se do jetë edhe një botë pa shërbime”.
Sa për Klubin e Futbollit Tirana, Veliaj këshilloi të bëhet një mbledhje e asamblesë, por shtoi se ai nuk është nga ata që i bën rrush e kumbulla paret e bashkisë, sa të blejë një lojtar që luan 7 minuta 130 mijë euro.
“Ne kemi 34% të aksioneve. Duhet mbledhur asambleja. Ekipi ka pasur ditë më të mira siç ka pasur edhe më të këqija. Kush e ka me shumë pasion çështjen e futbollit dua t’i sqaroj se mezi po bëjmë çerdhe dhe shkolla, nuk mund të paguajmë 130 mijë euro për një futbollist… Lekët nuk i bëj rrush e kumbulla”.
Kreu i Bashkisë hodhi poshtë edhe zërat që flasin për një konflikt të mundshëm mes tij e deputetit Koço Kokëdhima. “Unë nuk kam asnjë konflikt me asnjë njeri. Kjo çështja e begenisjes së njerëzve është e rëndësishme por unë jam në bashki dhe bëj punë. Kur bën punë nuk i kënaq dot të gjithë, e di që prej punës disa njerëz mërziten. Reflektoj vetëm kur marr vendime të padrejta… prandaj them që me Koçon nuk kam ndonjë konflikt”.