Partia Demokratike ka bërë 6 propozime për Reformën Zgjedhore, 3 prej të cilave kërkojnë ndërhyrjen në Kushtetutën. Lista të hapura, veting të politikanëve, votim të emigrantëve ku jetojnë, votim dhe numërim elektronik dhe ulje të numrit të zonave elektorale ishin propozimet kyçe për reformën zgjedhore.
I ftuar në emisionin ‘Studio Live’ në Report Tv, Rezart Kthupi, sekretar për Reformën Zgjedhore në PD, tha duhet vullneti i të dyja palëve politike të cilat duhet të negociojnë. Kthupi tha se PD nuk ka ndërmend që të kërkojë bashkim votash me Rithemelimin, por që janë të hapur për grupet e tjera.
‘Reforma Zgjedhore kanë qenë gjithmonë produkt i vullnetit politik. Sistemi zgjedhore në Shqipëri është i ndërtuar mbi nocionin e partisë politike. Këto kushte pa pasur vullnetin e dy partive të mëdha është i pamundur të kemi Reformë Zgjedhore, në efektin ligjor duhet vullneti i të dyja palëve. Palët negociojnë bien dakord, jo për gjithçka. Fakti që u shty afati për Reformën Zgjedhore nuk është vetëm çështje vullneti, por është detyrim. Shkak për të cilin dhe komisioni e filloi punën vitin që kaloi.
Komisioni i Rithemelimit është një grupim politik. Nuk mund të ketë marrëveshje apo bashkim votash me Rithemelimin. Do të shkojmë me një produktet në Kuvend që kushdo mund mbështesë ose kundërshtojë. Do të shkojmë në Komisionin me një propozim. PD s’ka ndërmend të kërkojë vota nga ato që janë shpallur non grata. Derën e kemi hapur për grupet e tjera parlamentare.’- tha Kthupi.
Partia Demokratike ka prezantuar një paketë reformash zgjedhore, por edhe kushtetuese. Kreu i PD-së Lulzim Basha ka shtrirë dorën për bashkëpunim ndaj çdo faktori politik dhe shoqëror për ato që i quajti reforma thelbësore që hapin rrugën për një Kushtetutë të re duke zhbërë ndryshimet e vitit 2008./m.j