Thirrja e Shkëlzen Berishës në SPAK, për çështjen e Gërdecit, ishte një lajm edhe për Guy Lawson, gazetarin investigativ amerikan. Në një intervistë ekskluzive për Shqip nga Rudina Xhunga, Lawson thotë se persona relevantë që kanë qenë të përfshirë në historinë e armëve të Gërdecit, kanë thënë se janë takuar me Berishën, çështje për të cilën, të dyja palët kanë qenë në gjyq për një kohë të gjatë. Duke e vlerësuar këtë hap të SPAK, gazetari amerikan thotë se është e nevojshme që dëshmitarët të flasin, në mënyrë që zbulohet se çfarë roli ka pasur Shkëlzen Berisha në tragjedinë e Gërdecit.
Rudina Xhunga: Shkëlzen Berisha, djali i Sali Berishës, u thirr në SPAK. Ju duk dhe juve ky një lajm për drejtësinë shqiptare?
Guy Lawson: Po, ashtu m’u duk. E pashë këtë në lajme. Siç e mbani mend, Berisha Junior, më paditi në Shtetet e Bashkuara duke pretenduar se unë thashë gjëra që ishin shpifëse për të, por ajo çështje u pushua. Gjykatat gjetën se kishte zero shanse që Berisha Junior të mund të kishte sukses në një gjyq dhe kjo u apelua nga avokatët e tij, deri në Gjykatën Supreme të Shteteve të Bashkuara dhe u hodh poshtë 8 me 1 ose 7 me 2 ndoshta, nuk më kujtohet.
Por çështja ishte se Berisha Junior, pra Shkëlzeni, pohonte se nuk ishte personazh publik, ndaj nuk duhej te prekja imazhin e tij, si një person privat. Atëherë botuesi im bëri një sondazh me shqiptarët se sa njerëz e dinin emrin e tij, doli se ishte 100 %.
Në Amerikë ka një ligj që nëse je personazh publik, kur ngrenë akuza duhet të vërtetosh që gazetari e dinte ose me keqdashje nuk donte të dinte të vërtetën dhe megjithatë e publikoi.
Kjo për mua ishte një akuzë qesharake sepse libri “Armët dhe çunat” nuk ka thënë asgjë më shumë se sa është thënë me specifikë dhe akuzë të mprehtë në media të tjera. Unë kam raportuar për biseda shumë specifike që dyshohet se kanë ndodhur. Berisha Junior , pohoi se nuk i ka bërë. Epo, unë shpresoj që SPAK-u do t’i trajtojë këto çështje dhe e di që për t’i shkuar vërtet deri në fund, do të ketë nevojë për më shumë dëshmitarë, përfshirë ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm, z. Luan Hoxha, i cili u arratis në Shtetet e Bashkuara në kohën e shpërthimit në Gërdec dhe tani jeton në Bronks. Do të doja shumë të dëgjoja se çfarë ka për të thënë.
Rudina Xhunga: Pas një kohe të gjatë, cili është mendimi juaj për përfshirjen e Shkëlzen Berishës dhe ish-kryeministrit në këtë ngjarje?
Guy Lawson: Unë i qëndroj besnik asaj që kam shkruar në libër. Në libër, persona relevantë që kanë qenë të përfshirë në historinë e armëve të Gërdecit, kanë thënë se janë takuar me Berisha Junior, gjë që ai e mohon të ketë ndodhur. Duket se ka një sasi të konsiderueshme provash se kishte njerëz që po përfitonin personalisht nga shitja e asaj sasie të municioneve; kishte para të dërguara në llogaritë bankare në Qipro që thjesht u zhdukën, ishte një tregtar armësh zviceran që u zhduk pa lënë gjurmë. Pra kishte shumë gjëra që ndodhën në atë kohë apo atë botë, që nuk zbulohen kurrë. Ndiej se libri im shkoi aq larg sa dikush nuk ka shkuar ndonjëherë, sa i takon botës së tregtisë së armëve. Nuk e di se sa është penguar drejtësia, nga fakti që pas gjithë këtyre viteve, ende familja Berisha po mohon këto gjëra, edhe pse nuk e di sa besohen ata në Shqipëri.
Unë i qëndroj besnik librit tim dhe besoj se sistemi gjyqësor amerikan e përkrahu shumë te vërtetën e librit tim, gjithashtu. Po të lexosh vendimet e gjykatave në Shtetet e Bashkuara, në gjyqin tim me Berisha Junior, ato nuk u shqetësuan nga ideja nëse z. Berisha Junior ishte nëpërkëmbur duke u akuzuar për korrupsion. Nuk kishte vlerë, asnjë simpati për të, ne këtë këndvështrim. Ne Amerike nuk ndodhi asgjë, përveç hetimit të plotë dhe të drejtë. Këtë do të më pëlqente ta shihja të ndodhte edhe te ju. Por, edhe unë jetoj në botën reale, siç thoni ju, dhe ne duhet vetëm të presim./m.j