Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, priti sot në një takim delegacionin italian, të kryesuar nga Sandro Gozi, Nënsekretar pranë Këshillit të Ministrave për Çështjet Europiane.
Gjatë takimit, u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, ku Ministrja shprehu falenderimet në emër të qeverisë shqiptare, për mbështetjen që Italia i ka dhënë Shqipërisë me procesin e integrimit.
Bashkëbiseduesit, u ndalën tek progresi që ka bërë vendi me reformat, nevoja e miratimit sa më të shpejtë të reformës në drejtësi, si thelbësore për të kaluar në fazën e radhës që është hapja e negociatave.
Ministrja Gjosha, theksoi se kjo reformë është shumë e rëndësishme jo vetëm për procesin e integrimit të vendit, por para së gjithash i shërben qytetarëve shqiptarë, në mënyrë që tu rikthehet besimi tek sistemi.
“Konsensusi për këtë reformë është i domosdoshëm, dhe unë jam e bindur se me miratimin e saj në Parlament, Shqipëria do të mundet të marrë një rekomandim për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian”, tha Ministrja Gjosha.
Bashkëbiseduesit diskutuan edhe për Programin Adriatiko-Jonian (ADRION) 2014-2020, i cili është një nga tetë programet e bashkëpunimit territorial ku merr pjesë Shqipëria, nëpërmjet IPA II. Në këtë program marrin pjesë 8 shtete, katër prej së cilave janë vende anëtare : Italia, Greqia, Sllovenia, Kroacia dhe 4 janë vende jo anëtare: Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Serbia dhe Mali i Zi.
Ministrja Gjosha, u shpreh se nëpërmjet programeve të tilla thellohet bashkëpunimi mes vendeve, në mënyrë që te ecet përpara me procesin e integrimit, duke përfituar nga përvoja e vendeve anëtare. Ky program do të përfshijë, fusha të tilla si : inovacioni, mjedisi, infrastruktura dhe transporti.