“Stop” udhëtoi drejt Niklës pas shqetësimit për shkollën 9-vjeçare dhe gjimnazin “Ramazan Karaj”. Shkolla u shemb në Janar 2022 dhe sot, në Shtator 2023, nuk ka asnjë gjurmë të shkollës së re.
Fëmijëve u mungon shkolla dhe 400 nxënës tani bëjnë mësim turn i dytë në Fushë-Krujë. Janë rreth 5 autobusë, që mbledhin fëmijët dhe i çojnë në Fushë-Krujë, ku zhvillohet mësimi në turnin e dytë.
Në një bisedë me drejtorin e shkollës “Ramazan Karaj”, zoti Enver Balla tha, që prindërit kanë qenë të shqetësuar për orarin e pasdites.
Sipas tij, Shtatorin e ardhshëm do të jetë gati shkolla e re.
“Prindërit e kanë problem pse shkojnë në orë të vona. Jam i detyruar të zbatoj programin për sa më takon. E di që Shtatori i ardhshëm jemi tek shkolla e re”, tha drejtori.
Në Zyrën Arsimore Krujë, drejtoresha Dorina Kalaja na tha, që ka siguruar shkollë dhe transport, por ndërtesa nuk është kompetencë e saj. Menaxhuesi i shkollave është Bashkia e Krujës.
/a.d