Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka vizituar në spitalin e Traumës efektivin e forcave “Shqiponja”, Edlir Alleshi, i cili mbeti i plagosur gjatë ushtrimit të detyrës, mbrëmjen e sotme në kryeqytet.
Efektivi Alleshi mori dy plumba në bark, pasi në drejtim të tij qëlloi dy herë me armë zjarri Klered Bozhanaj.
Patrulla e forcave “Shqiponja” ishte vënë në ndjekje të autorit, pasi në sallën operative kishte mbërritur një telefonatë që tregonte se një burrë me kapele të zezë lëvizte i armatosur në zonën e Kinostudios.
Sakaq, ministri Balla sqaroi për mediat se efektivi i plagosur iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe po mjekohet në Spitalin e Traumës. Ministri Balla tha pasi pa nga afër punonjësin e plagosur se rreziku për jetën ka kaluar, por po mbahet nën monitorimin e mjekëve.
Më tej ai paralajmëroi se do të marrë një përgjigje të ashpër nga forca e ligjit ai që guxoi të ngrejë armën dhe të qëllojë mbi policinë.
“Një gjë është e sigurt se ky guxim i madh për të goditur me armë një punonjës policie, e për të mos iu bindur urdhrit të Policisë, do të marrë një goditje shumë të madhe nga Policia e Shtetit. Do të marrë përgjigjen më të fortë. Thirrja ime për personin, apo familjarë të tij, se dua ta ndaj me mediat se personi është identifikuar, është të dorëzohet menjëherë“, apeloi ministri i Brendshëm.
Ndërkohë, strukturat e Policisë së kryeqytetit janë vënë në ndjekje të autorit 42-vjeçar të ngjarjes së rëndë.
/a.d