20 mijë euro shpërblim do të marrë çdokush që ofron informacion për autorin e plagosjes së efektivit të ‘Shqiponjave’, Edlir Alleshaj. Çdokush që ka informacion të vlefshëm që do mund të ndihmonin efektivët për të kapur Klerent Bozhanaj do të shpërblehet nga ana e uniformave blu.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Informacion shtesë
Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, Patrullat e Përgjithshme të mbështetura nga Renea, po vijojnë ndjekjen dhe kontrollin e zonës, për kapjen e personit të armatosur, shtetasit Klerent Bozhanaj, 42 vjeç, që plagosi punonjësin e Policisë, inspektor E. A.
Policia e Shtetit kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që kushdo që ndeshet të bëjë kujdes pasi ky shtetas është i armatosur, dhe të njoftojnë menjëherë shërbimet e Policisë.
DVP Tiranë fton qytetarët që të japin informacion për autorin e kësaj ngjarjeje dhe vendos shpërblim 20000 euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e autorit.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë vendos në dispozicion të qytetarëve, numrin e telefonit 0694111546, duke garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi./m.j