Ministri i Brendshëm, Taulant Balla u ka shprehur mirënjohjen forcave policore të angazhuara në operacionin kombëtar antikanabis “Tempulli”, që çoi në pranga 233 shpërndarës droge si dhe u bë e mundur goditja e 23 rrjeteve kriminale.
Po ashtu, Balla ka shprehur vlerësimin maksimal për masat e caktuara nga gjyqtarët dhe prokurorët, ndaj të arrestuarve.
“Kemi arritur të japim goditjen e parë të madhe, edhe pse është një punë që është zhvilluar muaj pas muaji, vit pas viti, por e vërteta është që operacioni kombëtar “Tempulli” është një prej atyre goditjeve që bën krenar secilin prej anëtarëve të organizatës së Policisë së Shtetit.
Gjej rastin të falenderoj sot jo vetëm strukturat e Policisë së Shtetit, por edhe prokurorët dhe gjyqtarët të cilët bashkëpunuan me Policinë e Shtetit gjatë këtij operacioni, i cili vazhdon.
Besoj se Policia e Shtetit ka marrë vlerësim tejet pozitiv nga publiku për këtë goditje. Ky është një tregues domethënës për seriozitetin dhe angazhimin e Policisë së Shtetit kundër çdo veprimtarie të paligjshme. Ky operacion ka shënuar një prej momenteve me të suksesshme të punës hetimore të strukturave të policisë”, tha Balla gjatë takimit me forcat policore të angazhuara në këtë operacion.
Ministri ka deklaruar se duhet më shumë punë për të identifikuar personat në kërkim si dhe shprehet se do të ketë bashkëpunim me Europolin dhe Interpolin. Balla gjithashtu vë në dukje faktin se në Shqipëri do të organizohet për herë të parë Konferenca Europiane e Interpolit dhe kjo vjen edhe si një vlerësim për punën dhe arritjet e Policisë së Shtetit Shqiptar.
“Kemi tashmë një listë prioritetesh ose siç i themi ‘më të kërkuarit’, për të cilët mezi pres që ajo listë të çmontohet një e nga një duke bashkëvepruar këtu jo vetëm brenda për brenda hapësirës sonë me të gjitha organet e tjera ligjzbatuese, por do të rrisim bashkëpunimin me Europolin dhe me Interpolin. Shumë shpejt do të jemi në selinë qendrore të Interpolit, pikërisht për të hapur një kapitull të ri dhe për të identifikuar të gjithë të kërkuarit shqiptarë nëpër botë. Dhe po ashtu besoj se jeni informuar që ne do të organizojmë në Shqipëri për herë të parë edhe Konferencën Europiane të Interpolit dhe kjo vjen edhe si një vlerësim për punën dhe arritjet e Policisë së Shtetit Shqiptar”, ka deklaruar Balla.
Ministri nënvizoi rëndësinë që ka krijimi i një perimetri sigurie përrreth shkollave si dhe ka deklaruar se policia do të veprojë ndaj çdo lloj veprimtarie antiligjore dhe kriminale.
/a.r