Komisioni për Reformën në Drejtësi është mbledhur sot në mbrëmje për të diskutuar rreth draftit të sjellë nga Komisioni i Venecias, lidhur me këtë reformë. Që në fillim të kësaj mbledhje janë vënë re diferenca në qëndrime, sidomos nga ana e përfaqësuesve të PD-së në këtë komision.
Pavarësisht kërkesës së bashkërkryetarit të këtij komisioni, Fatmir Xhafa, që palët të reflektojnë qetësisht mbi rekomandimet e bëra nga Komisioni i Venecias, në mënyrë që të finalizohet drafti në fjalë, bashkëkryetari i këtij komisioni, Eduart Halimi, ka kërkuar që përpara se ekspertët të fillojnë sërish nga puna të ngrihet një tryezë politik mes forcave politike parlamentare, ku të sheshohen diferencat në qëndrime. “Ndryshimet kushtetuese të fillojmë së pari nga dialogu politik. Ne jemi bërë komision korrierësh. Dihet qartazi se ka qëndrime të ndryshme politike. Ne nuk mund të fshihemi pas ekspertëve. Pikësëpari është çështje e përgjegjësive politike të partive. Duhet të zgjidhim më parë çështjet politike. Të gjejmë zgjidhjet më të qëndrueshme politike dhe më pas kalojmë tek ekspertët”, ka theksuar Halimi.
Sipas tij, nuk është e vërtetë se opozita po sajon alibi për të mos votuar reformën duke u kapur pas korumit të emërimeve me 2/3 apo me 3/5. Halimi deklaron se kjo për PD nuk ka rëndësi, por ndryshimet kushtetuese duhen bërë në mënyrë që ato tu rezistojnë kohërave. Ndjellja e PD-së për një tryezë politike mes pozitës dhe opozitës, duket se taktikisht është një lëvizje që synon të shtyjë procesin në emër të konsensusit politik.
Po të kihet parasysh se komisioni i posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi, përbëhet nga përfaqësues të forcave politike, duket se ngritja paralelisht edhe e një tryeze politike, më shumë synon të zvarrisë procesin e reformës sesa të përafrojë miratimin e saj. Të dy bashkëkryetarët kanë vlerësuar draftin e sjellë nga Venecia. Bashkëkryetari Fatmir Xhafa nuk ka ngurruar që në këtë mbledhje të artikulojë edhe një datë për draftin final të ekspertëve që është ajo e 12 marsit. (javanews.al)
Diskutimet:
Fatmir Xhafaj: “Komisioni i Venecias mbi raportin e parë ka sjellë draftin paraprak. Kjo pasi, që të konsiderohet një draft final do të duhet të mblidhet seanca e Komisionit të Venecias, pra në 12 mars. Pra, gjithsesi drafti paraprak është mëse i nevojshëm për të përcaktuar qëndrimin që do të mbahet dhe reflektimi që do duhet të bëhet në projektin e rishikuar. Ky draft duhet të lexohet në mënyrë sa meqë objektive, për t’i dhënë qytetarëve shqiptarë dhe për të përmbushur atë pritshmëri ndërkombëtare. Sot, janë të ftuar edhe ekspertë të nivelit të lartë vendas dhe ndërkombëtar që kanë punuar me këtë draft për të asistuar. “, tha Xhafaj.
Eduard Halimi: “Draft/opinioni përbën një bazë shumë të mirë për të ecur para me amendamentet kushtuese, si një pjesë e rëndësishme e reformës në Drejtësi. PD e ka përshëndetur dhe ndihet e inkurajuar nga drafti i Venecias, i cili shpresojmë se do të bëhet raport final në ditët në vijim dhe padyshim trajton elementë të rëndësishëm për reformën, bazuar në dialog politik. Është e arsyeshme që kërkesa e qytetarëve për llogaridhënie, të vihet në zbatim një orë e më parë. Ky proces të mos përdoret si një alibi. Kushtetua dhe ndryshimet kushtetuese duhet të jenë konsensus mes palëve, dhe jo dëshirë për të kapur sistemin e drejtësisë. Ne duhet të ecim sa më shpejt dhe duhet të miratojmë paketën kushtetuese. Ndaj duhet të fillojmë me dialog politik, për të diskutuar çështjet politike që na ndajnë. Ajo çfarë kanë parë qytetarët shqiptarë, është që jemi bërë një komision korrierësh. Qytetarët shqiptarë duhet të dëgjojnë qëndrimet politike të palëve. Jemi ne deputetët që japim llogari për zgjedhjet në këtë Kushtetutë të re. Ne nuk mund të fshihemi pas ekspertëve. Ndër të tjera Halimi pohoi se opozita nuk është dakord me mazhorancën në 10 pika, duke përmendur kështu disa prej tyre, siç është dhe çështja e emërimit të gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë. “Nuk jemi dakord me këshillin e emërimeve. Me këshillin janë ndjekur përzgjedhje selektive, ndaj nuk jemi dakord me skemën institucionale. Hetimi penal nga prokuroria dhe shfuqizimi i prokurorisë. Bëhet fjalë për Byronë Kombëtare të Hetimit. Një tjetër pikë që nuk jemi dakord është ndërprerja e mandateve kushtetuese. Ne nuk jemi dakord me emërimin në Këshillin e lartë të Prokurorisë dhe atij gjyqësor që zgjidhen nga parlamenti.”, tha deputeti i PD-së.
Pandeli Majko: Falenderoj përfaqësuesin e opozitës, që të paktën sot ne marrim vesh në mënyrë publike se për çfarë nuk jeni dakord. Nuk kemi cfarë të diskutojmë politikisht. Këto 10 çështje që ngrini juve janë me karakter teknik dhe jo politik.
Fatmir Mediu: Sot të paktën kemi tre materiale bazë që mund të diskutojmë politikisht. Ne si opozitë, në mënyrë të padiskutueshme, duam që kjo reformë të bëhet sa me e drejtë dhe sa më e plotë, duke respektuar rekomandimet e Komisionit të Venecias. Nuk janë thjesht NUK, (nuk duam këtë), zoti Halimi ngriti problemet.
Vasilika Hysi: Më vjen mirë që Komisioni i Venecias përgëzon ekspertët e komisionit ad-hoc për punën që kanë bërë dhe përgatitjen e reformës, duke marrë në konsideratë të gjitha rekomandimet në raportin e parë. Komisioni thekson se mbeten disa probleme teknike. Për mua, kur thuhet mbeten disa probleme teknike, kjo është një punë shumë e qartë se kush duhet ta bëjë këtë problematike. Do doja që në këtë komision të reformës në drejtësi, të mos lexohen rekomandimet në mënyrë gjysmake. Pesë rekomandime duhen zgjidhur nga komisioni ynë.
Arben Ristani: Më vjen keq që kur kërkohet konsensus, quhet pazarllëk. Parlamenti na ka ngarkuar që të hartojmë draftin e reformës në drejtësi. Eshtë ndërtuar me të dy krahët e parlamentit. Prandaj jemi këtu së bashku, të gjejmë gjuhën së bashku dhe të shkojmë para parlamentit me një draft të përpunuar. Tani nëse mendoni se duhet vetëm opinioni juaj, ky është një paragjykim që nuk vlen për këtë tryezë. Gjërat janë shoshitur, janë rrahur në nivel ekspertësh, tani duhet ta diskutojmë ne si anëtarë të komisionit. Na ngelen këto pika që duhen diskutuar. Dhe janë këto 10-11 pika, sepse për ne janë të rëndësishme dhe të qenësishme për drejtimin që duhet të marrë reforma. Ç’të keqe ka që t’i diskutojmë këto problematika që kemi. Të shohim çfarë alternativash kemi përpara dhe për përfundime teknike pyesim ekspertësh. Për më tepër edhe Komision i Venecias në mënyrë të përsëritur ka thënë që të gjitha këto janë pjesë e diskutimit të ligjvënësve vendas. Ta diskutojmë dhe të bëjmë një gjë për të qenë. Në të kundërt janë të gjitha arsyet që të mendojmë se pas gjithë kësaj historie fshihet qëllimi për të kapur sistemin, për ta politizuar sistemin.