Prokurori që po udhëheq hetimet për ndërhyrje në zgjedhje ndaj Donald Trump i ka kërkuar gjykatësve që t’i vendosin atij një urdhër ndalimi për të folur, për të kufizuar komentet publike të ish-presidentit lidhur me çështjen.
Hetuesi i posaçëm Jack Smith ka deklaruar se urdhri në fjalë do të parandalonte intimidimin e dëshmitarëve.
Nga ana e tij, Trump ka reaguar online, duke akuzuar ekipin e Smith për qasje negative. “Ata nuk do të më lënë të flas?”, është shprehur ish-shefi i Shtëpisë së Bardhë.
Më herët ai është vetëdeklaruar i pafajshëm ndaj akuzave se është përpjekur të përmbysë rezultatin e zgjedhjeve të 2020-s.
Kërkesa e Smith u zbulua nga gjyqtarja Tanya Chutkan. Ajo ishte dorëzuar një javë më parë dhe ishte mes një seri dokumentesh gjyqësore të lidhura me çështjen, të cilat u publikuan të premten.
Prokurorët deklarojnë se propozimi i tyre është vetëm një masë kufizuese, e nevojshme për të parandaluar keqinformimin, kërcënimet dhe paragjykimin e çështjes.
Nëse aprovohet, ai do të ndalojë zotin Trump që të bëjë deklarata lidhur me identitetin, dëshminë, apo besueshmërinë e dëshmitarëve të mundshëm, apo prokurorëve që po e hetojnë dhe anëtarëve të jurisë.
Javën e kaluar, avokatët e zotit Trump i shkruan gjyqtares Chutkan, duke e cilësuar atë si të njëanshme, në dëm të ish-presidentit dhe i kërkuan që të tërhiqet nga çështja. Për momentin nuk dihet se kur ajo do të vendosë për të dyja kërkesat./m.j