Ish-kryeministri dhe lideri historik i Partisë Socialiste, Fatos Nano feston sot ditëlindjen. Ai lindi më 16 shtator 1952 dhe u rrit në rrugën “Hoxha Tahsim” në Tiranë.
Nano po kalon ditë të vështira në spital, për shkak të komplikacioneve shëndetësore në mushkëri që kanë nisur që në periudhën e Covid-19. Prej 29 gushtit, ai ndodhet i shtruar në një spital privat në kryeqytet, por fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën.
Fatos Nano ka qenë tre herë kryeministër i Shqipërisë dhe për 14 vjet e 1 muaj kryetar i Partisë Socialiste. Kjo periudhë përfshin dhe vitet e burgut, kur socialistët vendosën ta mbanin atë kryetar dhe merrnin udhëzime nga qelia për drejtimin e partisë.
Ai është i pari politikan që reformoi Partinë e Punës duke u zgjedhur kryetar i saj si pasardhës i Ramiz Alisë jo vetëm duke i ndryshuar emrin nga Partia e Punës së Shqipërisë në Partia Socialiste e Shqipërisë, por duke e strukturuar dhe drejtuar atë me koncept perëndimor demokratik, ndërkohë që anëtarësia dominohej nga koncepti i vjetër bolshevik e lindor.