Është çelur këtë 7 mars gjimnazi i sapo rikonstruktuar Qemal Stafa në kryeqytet, ku i pranishëm në përurim ka qenë kryebashkiaku Erion Veliaj.
“Nuk besoj se kishte një ditë më të bukur se ky 7 mars për të çelur shkollën e re “Qemal Stafa”. Para disa javësh kam inspektuar punimet në këtë shkollë dhe së bashku me drejtoreshën i bëmë një premtim publik njeri-tjetrit, që në datën 7 mars, do të fillojmë mësimin. Tirana ka humbur shumë kohë, ashtu si edhe kjo shkollë, punë që zvarriteshin, kontrata që nuk realizoheshin”, tha kryebashkiaku Veliaj në ceremoninë e përurimit të ambienteve të reja të shkollës.
Ai shtoi se puna e kryer në një kohë të shkurtër në këtë shkollë është shembulli më i mirë i faktit se kur i rri punës te koka, gjërat bëhen në kohë.
“Falënderoj të gjithë ata që kanë besim se puna është mënyra më e mirë se si ne i përgjigjemi kritikës, se si u përgjigjemi fjalëve dhe cinikëve. Ndaj, edhe për ju që jeni të rinj sot dhe do të mbaroni shkollën, nesër do të shkoni në universitet, di t’ju jap vetëm një këshillë: Vetëm puna është përgjigja më e mirë për të gjithë ata që nuk e duan suksesin tuaj”, theksoi Veliaj.
Punimet për gjimnazin “Qemal Stafa” përfshijnë rikonstruksionin e plotë të ambienteve ekzistuese dhe një shtesë objekti me një sipërfaqe bazë 907 m2. Shkolla tashmë ofron 34 klasa, 5 laboratore, një palestër të re, sallë mësuesish, sallë mbledhjesh, e disa ambiente të tjera, të cilat u vijnë në ndihmë nxënësve dhe stafit pedagogjik. Godina tashmë ofron gjithashtu dhe ngrohje të garantuar nëpërmjet një sistemi qendror ngrohje.