Gazetari Poli Hoxha i ftuar ne emisionin “Intervista e ditës” në DritareTv ka deklaruar se Sali Berisha dhe Ilir Meta tentuan të përdornin Belerin për t’i vënë flakën Shqipërisë.
Sipas tij, ky ishte minimi i demokracisë dhe në një situatë të tillë vajti çështja deri aty sa të reagojnë BE-ja dhe DASH-i. Sipas gazetarit nga gjithë kjo situatë nuk dëmtohet qeveria, apo kryeministri Edi Rama, por Shqipëria, e cila rrezikon që t’i vendoset veto nga Greqia, si dhe të shtyhet procesi i anëtarësimit në BE për shkak të çështjes së Belerit.
“Një fije shkrepëse, që na ka ndezur një zjarr shumë të madh është vendosja e Belerit si kandidat për Bashkinë e Himarës. Më mirë të kishin vendosur një grek 100%, që të ishin lindur disa breza në Himarë. Vetëm të ishte i pastër, nga këto gjërat nacionale, e sidomos ajo ngjarja e Peshkëpisë. Vetë Berisha ka prishur marrëdhëniet me SHBA-të që pas ngjarjes së Peshkëpisë, ku u arrestuan disa zyrtarë te OMONIA-s së asaj kohe.
Kjo ka qenë pikërisht për grupin e zotit Beleri që sulmuan postën dhe tentuan të sulmojnë dhe një postë tjetër me vonë. Por u kapën. Pse vendos shkrepëse Berisha? Pse ndez zjarr në një vend aq delikat ku dihet edhe propaganda greke për Himarën, Vorio-Epirin etj? Ka Beleri ndonjë popullaritet të madh? Jo. Po të mos ishte arrestuar nuk do kishte fituar më 14 maj.
Berisha dhe Meta të kishin vendosur një njeri që ka popullaritet nga koalicioni i tyre. Por e vendosën Belerin që të ndezë zjarr. Ky është minimi i demokracisë dhe kur bëhet zjarri i madh kalon situata edhe më tej, sa detyrohet të flasë edhe DASH-i, apo BE-ja. Nuk dëmtohet Rama, dëmtohet Shqipëria”, tha Hoxha./m.j