Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj foli edhe për çështjen e inceneratorëve në emisionin “Real Story” në ABC News. Ai theksoi se sot Tirana është një qytet më i pastër, por nëse dikush ka gabuar, duhet të mbajë përgjegjësi.
“Në Tiranë, jo vetëm që s’kemi gabuar, por unë besoj se qyteti është më i pastër falë atij procesi. Është një punë që i ka bërë nder këtij qyteti dhe i ka sjellë shërbim këtij qyteti, duke e bërë më të pastër, duke hequr atë shtullungën që vinte nga Sharra, me një çmim më të ulët sesa ai i Lul Bashës e Saliut, nga 37 euro/ton, në 29 euro/ton. Por, nëse në këtë proces dikush ka bërë një gabim, duhet të mbajë përgjegjësi”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë nënvizoi se trualli ku është ndërtuar landfilli i Tiranës ka qenë gjithmonë pronë e Ministrisë së Ekonomisë. Ai sqaroi se ndryshe nga Fieri dhe Elbasani, Bashkia e Tiranës paguhet vetëm për shërbimin. “Në landfillin e Tiranës, bashkia nuk është pronare, as e tokës. Dëgjoj lloj-lloj injorantësh që ulen nëpër banaqe dhe thonë: “Si e dha tokën?” Toka ka qenë gjithmonë në pronësi të Ministrisë së Ekonomisë. S’ka asnjë gazetar që t’u thotë: “Si gënjeni për një gjë që është e dukshme dhe e dinë të gjithë që s’ka qënë kurrë tokë e bashkisë”. S’ka pasur kurrë nevojë që të mblidhet bashkia për të bërë një vendimarrje të tillë. E dyta, në dallim nga Fieri dhe Elbasani, bashkia aty paguajmë vetëm shërbimin. Pra, nuk kemi pagesë për investimin. Me kontratën e shërbimit, këta kanë shkuar të marrin kredi në bankë. E kanë marrë ata riskun. Pra, s’është marrë risk për qytetarët e Tiranës – jo vetëm të Tiranës, se aty depozitojnë 5 bashki, plus Durrësi. Por, këta estafët e politikës fokusohen vetëm te Tirana. Tirana është vetëm 1 nga 6 klientët. Ne jemi një klient si gjithë të tjerët dhe si qytet më i madh prodhojmë më shumë mbeturina. Fakt është që fatura s’ka ndryshuar. Kjo është një kontratë për gjithë qarkun, e lidhur nga autoritet në atë kohë”, tha ai.
Kryebashkiaku nënvizoi se Bashkia e Tiranës nuk është supervizore e punimeve për inceneratorin. “Nëse do ia jepnin Bashkisë së Tiranës, pra po të isha supervizori, siç i rri tek koka çdo rojekti, do i rrija edhe këtij. Por, s’e kam unë këtë detyrë, s’jam unë supervizori. Ne kemi detyrë të çojmë mbetjet deri tek trau, sipas kontratës. Inceneratori ka një supervizor privat. Supervizori sot është përpara drejtësisë dhe po jep llogari për këtë. Por, të thuash që, meqë këtu disa njerëz kanë bërë gabime, të mos e bëjmë fare inceneratorin, ta mbyllim, të mos paguajmë për plehrat, si do pastrohet qyteti? Si pastrohen plehrat në Vjenë? Është inceneratori në mes të Vjenës”, deklaroi Veliaj./m.j