Teksa një ditë më parë deklaroi se kishte dorëzuar dorëheqjen si kryetare e Komisionit Parlamentar për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik, vjen një reagim nga Flutura Açka.
Kjo e fundit tha se nuk kishte ikur nga drejtimi i Komisionit. Përmes një mesazhi në ‘Facebook’, Açka tha se komisioni është në krizë të rëndë politike, morale dhe etike i shkaktuar sipas saj “nga punizmi në Parlamentin shqiptar, nga ndërhyrjet brutale e Skënder Gjinushit, nga bashkëpunimi i heshtur i Kryetares së Parlamentit dhe heshtja e Presidentit të Republikës”.
REAGIMI I AÇKËS
Nuk më ka mbërritur ende ora për të ikur
Unë doja t’ju tërheqja vëmendjen për Krimin Kushtetues që është bërë në Kuvendin e Shqipërisë më 19 korrik në Komisionin klandestin për projektligjin e paligjshëm mbi Akademinë e Shkencave dhe atë të datës 20 korrik në Parlamentin e Shqipërisë me votimin e tij në shkelje te hapur të rregullores.
Doja t’ju kujtoja se shteti ligjor ka rënë dhe kjo më dëshpëron.
Nuk kam ikur nga drejtimi i Komisionit Parlamentar për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik.
Është e vërtetë: KPEMIP është në krizë të rëndë politike, morale dhe etike e shkaktuar nga punizmi në Parlamentin shqiptar, nga ndërhyrjet brutale e Skënder Gjinushit, nga bashkëpunimi i heshtur i Kryetares së Parlamentit dhe heshtja e Presidentit të Republikës.
Çdo sms që vjen nga të dëshpëruarit që shëtisin trojeve të politikës, nuk mund të jetë lajm.
Por ja që ju e bëni lajm!
DEKLARATA E DJESHME
“Të jem e sinqertë ndjej jo vetëm fyerje të kësaj natyre, në lidhje me punën, por edhe çështje etike me ju. Unë i kam kërkuar kryetarit të partisë time dorëheqjen nga ky Komision, sepse kam turp me njerëz të cilën nuk kanë minimum njerëzor. Dorëheqja nuk më është aprovuar dhe jam duke pritur”, tha Flutura Açka.