Zbarkimi i emigrantëve në Lampedusa vijon pa pushim, me mijëra të ardhur të tjerë dhe mbi 6 mijë në qendrat e pritjes. Mediat italiane bëjnë të ditur se një foshnjë e 5-muajshe është mbytur në det gjatë operacioneve të shpëtimit.
Tragjedia ndodhi gjatë operacioneve kaotike të zbarkimit të 46 emigrantëve të shpëtuar nga skafi i patrullës së Rojës Bregdetare, ku më shumë persona përfunduan në ujë. Trupi u dërgua në morgun e varrezave Cala Pisana, ndërsa nëna, një minorene nga Guinea ndodhet në Imbriacola. Policia ka kërkuar mbështetje psikologjike për nënën.
Sipas ligjit aktual të BE-së për azilin, azilkërkuesit që lëvizin në një shtet tjetër anëtar pa leje në përgjithësi duhet të kthehen në vendin e hyrjes së parë. Edhe Franca ka mbyllur kufijtë e saj. Ministri i Brendshëm Darmanin ka paralajmëruar përforcime në luftën kundër emigracionit të paligjshëm në kufirin me Italinë, ku presioni është në rritje./f.s