Shqipëria është në rrugën e mbarë për t’u kualifikuar për herë të dy në kampionatin Euro. Kuqezinjtë e drejtuar nga Sylvinho kryesojnë grupin E me 10 pikë, ndërsa në shtator Kombëtarja ia doli të marrë dy rezultate pozitive.
Fillimisht, Shqipëria barazoi 1-1 me Çekinë në Pragë, sakaq 3 ditë më pas, erdhi fitorja 2-0 në shtëpi ndaj Polonisë. Igli Tare, ish-sulmuesi kuqezi ka dhënë një intervistë për News 24, ku ka folur për kualifikimin e mundshëm në Euro 2024, për elementë të veçantë dhe natyrisht, pati edhe këshilla nga ana e tij.
Në Shqipëri janë të “dehur” pas Kombëtares në këto momente, ku i ndoqe dy sfidat e fundit Igli. Të pyes ku e ndoqe, se më bëri përshtypje Mirel Josa, me theksoi se nuk arriti të siguronte një biletë, e pashe në shpi më tha, po ju e kishit një ftesë?
Jo, unë ftesë nuk kisha, por kisha dhe një justifikim, kisha një problem familjar, duhej të largohesha nga Shqipëria. Isha në Romë, ndeshjen e pashë në shtëpinë time, me djalin.
Çfarë shije të la sfida me Poloninë, e prisje një sukses të pastër 2-0?
Nuk e prisja një fitore, sinqerisht, por isha i bindur që do të merrnin një rezultat pozitiv, sepse është krijuar një lloj klime rreth skuadrës, një energji pozitive që ndikon edhe në paraqitjen e skuadrës në fushë, kshuqë isha shumë i bindur që nuk do të dilnim të humbur nga ndeshja, por golat dhe fitorja ishte më të vërtetë ekzaltuese. Nuk ka se si të shkojë më mirë për skuadrën tonë, por duhet të jemi të qetë dhe me këmbë në tokë sepse ndeshja me Çekinë do të jetë vendimtar, kshuqë, kjo euforia nuk duhet të jetë një armë negative, por duhet të jetë një armë pozitive.
Igli, çfarë ka ndryshuar Sylvinho në kaq pak kohë, përveç skemës, si të duket ekipi që ka ndërtuar?
Fitorja ka shumë baballarë, por humbja ka vetëm një nënë. Në këto momente duhet të jemi të përqëndruar te fakti që Sylvinho ka ardhur me entuziazëm, me ide të qarta lojë. Është ende shumë shpejt për të thënë që ka ndryshuar shumë gjëra, është vetëm ndeshja e tij e 5-të, është shumë shpejt për të folur për ndryshime të mëdha. Forma e lojtarëve, shumë prej tyre aktivizohen në ekipet ku luajnë, kjo është shumë domëthenëse. Grupi që është krijuar, lojtarët, janë të gatshëm të luajnë në formacion, kjo e ndihmon shumë trajnerin, që të ketë shumë zgjidhje. Gjëja më kryesore është që ai të jetë i motvuar, sidomos për këto ndeshje të fundit që kanë ngelur, sepse do të ishte një rezultat shumë domethënës.
Igli, fakt është që Sylvinho i ka dhënë shumë peshë dy lojtarëve që ti i njeh shumë mirë Asllani dhe Nedim Bajrami, dy lojtarë që sipas mediave italiane i keni kërkuar dhe gjatë kohës kur ishte te Lazio, si t’u duket paraqitja e tyre këtë periudhë?
“Unë kam qenë gjithnjë i mendimit, gjatë kohës së Rejas, në bisedat personale me të (Rejan), një lloj kritike ndaj tij ka qenë edhe fakti që Shqipëria nuk e ka luksin që lojtarë si Asllani të lihen në stol, duke ditur skuadrën ku ai luan. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me Kumbullën e Brojën kur të kthehen, sepse janë një shtyllë kurrizore e skuadrës ku rreth tyre do të ndërtohet e ardhmja për një periudhë 10 vjeçare. Asllani dhe Bajrami nuk janë një surprizë, janë thjeshtë lojtarë që i është dhënë mundësia, i është dhënë besimi dhe ata e kanë justifikuar në fushë me rendimentin që kanë treguar”.
-A munden këto dy lojtarë t’i shohim në nivele më të larta në Serie A, Bajramin më shumë, se Asllani është në maksimum, luan tek Inter, pavarësisht se nuk shihet titullar nga Inzaghi…
“Bajrami është një lojtar që ka karakteristika shumë të mira, por ka pasur oshilacione në formën e tij. Të gjithë flasin me elozhe shumë të mëdha, por nuk ka pasur mundësi të ketë vazhdimësi si lojtar bazë i një skuadre. Ja uroj me gjithë zemër, sepse është një lojtar i jashtëzakonshëm për mënyrën se si e interpreton lojën dhe do të isha shumë i lumtur nëse ai do të gjente vazhdimësi në skuadrën e tij si një lojtar kryesor. Për Asllanin, ka një detyrë shumë të vështirë tek Inter. Eksperienca që po fiton aty është shumë e rëndësishme, por se edhe për të do të ishte e rëndësishme të shkonte diku, të gjente një skuadër ku të ketë vazhdimësi, sepse është akoma në një fazë pjekje dhe akoma nuk e ka dhënë maksimumin e tij”
-Në Itali këto ditë, tifozët me batutë në rrjet shkruajnë se në Evropian, të paktën kanë se me kë të bëjnë tifo, për Shqipërinë, duke iu referuar krizës së Italisë pas barazimit me Maqedoninë e Veriut. Mund të ndodhë ky skenar, Italia jashtë dhe Shqipëria në “Euro2024”? Duket sikur pas turistëve po i marrim dhe futbollin Italisë…
‘Është për të ardhur keq në fakt, nuk është për të bëra shaka. Futbolli evropian, ose një Evropian pa Italinë do të ishte një goditje shumë e madhe, duke parë që italianët në dy botëroret e fundit nuk kanë pasur mundësi të kualifikohet, është një goditje e madhe për futbollin italian. Është një goditje e madhe për futbollin italian, është një krizë që duhet të kalojë me shpejtësi të madhe pasi Italia është një lokomotivë për futbollin evropian dhe botërorë. Shpresoj që ta sigurojnë sa më shpejt kualifikimin, duke filluar që nga sot në darkë, në ndeshjen me Ukrainën”
Një tjetër lojtar që ju e njihni shumë mirë është dhe Elseid Hysaj, që për fat të keq është atakuar jo pak periudhat e fundit, ndërsa Sylvinho zgjodhi një tjetër kapiten, por ndaj Polonisë ishte lojtari me notën më të lartë, zhvilloi një ndeshje perfekte, si e keni parë Hysaj me fanellën kuqezi këtë periudhë?
“Hysaj është nga ato lojtar që është lënë nën hije, sepse eksperienca e tij, lidershpi që ai ka brenda skuadrës janë të padiskutueshme. Ai e di shumë mirë sa duhet të japi, kur duhet ta japi. Eksperienca që ai ka e ndihmon shumë, është diçka që ekipi Kombëtar ka shumë nevojë shumë për të, është një nga lojtarët veteran të skuadrës. Edhe vet ai e di që ka një rol të veçantë dhe që atë rol duhet ta interpretojë në mënyrën më të mundshme”.
Igli, çfarë ka ndryshuar, tani Shqipëria bën një futboll pak më ofensiv, ose më saktë realizon super gola, kemi sulmin më të mirë në Grupin E, 8 gola në 5 ndeshje, duhej të vinte një brazilian që të shënonim kështu golash të çmendur?
“Mbase ka të bëjë edhe më këtë, pak samba, gola alla Roberto Carlos, golat e Asanit, goli i Bajramit. Unë besoj që kualiteti i skuadrës është shumë i madh, është akoma në një fazë rritje, është akoma një skuadër shumë e re, është akoma një skuadër që ka nevojë të konsolidohet. Ka nevojë për një ambient që eksperenicën e “Euro2016” duhet ta nxjerr si mësim dhe të dijë si të sillet rreth kësaj skuadrë, sepse siç i thonë në Itali: Nga yjet në stallë, është shumë shpejt, kshuqë duhet të jemi të gjithë të fokusuar, të gëzuar për çfarë na dhanë djemtë. Edhe në përditshmërinë tonë të jep një ndjenjë shumë të mirë kur i mendon këto fitore, atë gëzim të madh që i kanë dhënë shqiptarëve kudo në botë. Duhet të jemi të gjithë bashkë, këtë lloj euforie duhet t’ia transmetojnë lojtarëve në anën e duhur, në mënyrën e duhur, sepse ndeshja me Çekinë bëhet vendimtare dhe presioni duhet të jetë pozitiv, jo negativ”.
Mqs jemi te sulmi, prurja e re Mirlind Daku, duket si një Igli Tare në kohet moderne, në kohen e sotme, çfarë mendimi keni për këtë lojtarë, të ngjason ndopak, çfarë mund t’i jap Kombëtares?
Unë nuk i kam qejf këtë krahasimrt, Igli Tare, Bogdani. Ne jemi sulmues që kemi qenë në një epokë tjetër…Daku-Broja kanë mundësi të bëjnë një karrierë shumë më të mëdha se sa ne. Broja është në rrugën e duhur, ja uroj edhe Dakut pasi është një lojtar shumë puntor, ka karakteristika shumë të mira që i duhen shumë skuadrës, pasi di të mbrojë shumë mirë topin, di të sulmojë thellësinë, do të jem shumë kurioz edhe kur të kthehet Broja. Jam shumë kurioz se si do ta zgjidhë trajneri i Kombëtares këtë problem pasi mos harrojmë është edhe Cikalleshi, që është një lojtar me shumë eksperiencë, Uzuni. Muçi një lojtar që unë e çmojë jashtëzakonsisht shumë dhe ka pasur shumë pak mundësi të tregojë vlerat e tij. Muçi është një lojtar që Kombëtarja duhet të ketë një vëmendje të veçantë pasi në të ardhmen do të bëjë diferencën. Bajrami, Muja, edhe ky lojtar shumë i mirë. Në repartin ofensiv, Sylvinho ka shumë opsione, por ai duhet të zgjedh lojtarët më të mirë dhe mbi të gjitha lojtarët që i përshtaten skemës së tij.
Jo vetëm Daku, por Sylvinho do e ketë problem shumë të madh të përzgjedh lojtarët në fazës sulmuese nëse shkojmë në Evropian, janë edhe Seferi, Cikalleshi, Muja, Uzuni, Muçi etj, por mungon Broja, a mund të ndryshohen balancat, apo dhe skema me rikthimin e Brojës?
Trajneri duhet të mendojë mirë zgjedhjet e tij. Janë disa reparte që kanë nevojë për alternativa siç është krahu apo mesfusha. Kjo është një skuadër që ka shumë alternativa. Zgjedhjet e trajnerit besoj se janë të duhurat. Shpresoj shumë që të shkojmë në Europian.
Igli një koment të shkurtër, të gjithë prisnim që heronjtë të ishin talentet që luajnë në Serie A, por ylli i ri në këto momente është Jasir Asani, një lojtar që nuk e pa askush gjatë kohësh që ishte në Shqipëri, por e gjeti Sylivinho në Korenë e Jugut, si të duket mëngjarashi ynë?
Asani është djalë i thjeshtë. Duket nga ata lojtarët që e ka besimin dhe nuk dorëzohet asnjëherë. Ai e meriton të jetë pjesë e kësaj skuadre. Do kisha një këshillë për FSHF që ka ardhur momenti të krijohet një klub i legjendave. Duket ditur që ka shumë futbollistë që kanë kontribuar për kombëtaren shqiptare, marr shkas nga intervista e Mirel Josës. Besoj se ka të bëjë me trajtimin, ata e kanë merituar. Secili e meriton për atë që ka dhënë për kombëtaren shqiptare.
Nga ky grup lojtarësh, kush ai lojtar që pret më shumë, kush mund te ngrihet në një tjetër nivel?
Nuk pres, jam shumë kurioz të shikoj Brojën sesi do përshtatet. Besoj se do e ketë të vështirë të përshtatet me skuadrën e re.
Çfarë pret nga ekipi Kombëtar, ku mund të arrijmë me këtë grup, deri ku mund të shkojmë, apo ka ende dyshime për në “Euro2024”?
Nuk më pëlqen të flas përpara kohe, gjërat duhet të komentohen atëherë kur ndodhin. Premisat janë të mira. Të shkosh në Europian është diçka e madhe. Çdo gjë duhet folur në momentin dhe kohën e duhur.
Igli, në Itali, në çdo portal, emri juaj bën lajm, nuk dua të ngacmoj në lidhje me ofertat e shumta që keni pasur ketë periudhë, post Lazio, por çfarë pret drejtori sportiv shqiptar më i famshëm në botë, çfarë projekti po prisni për t’ju parë sërish në aksion?
E kam bërë me vetëdije të largohesha nga futbolli. I jam dedikuar familjes dhe vetes time. Në muajt e ardhshëm do kem mundësinë t’i dedikohem ndonjë projekti të ri. Thjesht po shijoj kohën me familjen dhe shoqërinë. Dua të njoh disa klube nga afër, për mënyrën sesi punojnë nga brenda.
E fundit, të gjithë të prisnim që të ndihmoje Partizanin, por ndihmove Dinamon,( përtej shakasë, si të duket niveli i futbollit shqiptar, vendas, pse nuk shkojmë dot paralelisht me Kombëtaren?
Meqë ra rasti, u komentua shumë rikthimi i Tares në Shqipëri. Doja që nga eksperienca ime të jepja disa këshilla dhe mbi të gjitha duke parë që trajneri i Dinamos është miku im i vjetër. Thjeshtë kam dhënë disa këshilla për klubin dhe skuadrën. Partizani do mbetet gjithmonë në zemrën time./m.j