Edward Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në Uashington, thotë se nuk ka pritje të mëdha nga takimi i kësaj jave mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç – i pari pas më shumë se katër muajsh.
Sipas tij, do të ishte “befasi e këndshme” nëse do të kishte ndonjë përparim.
Duke folur në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Joseph thotë se Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues i dialogut, duhet t’i kujtojë të dyja vendet se kanë një marrëveshje për të zbatuar.
Për zgjidhjen e situatës në veri të Kosovës, ai thotë se të gjitha palët duhet t’i luajnë rolet e veta.
Por, thotë Joseph, kriza i përshtatet si Vuçiçit, ashtu edhe Kurtit.
“Vuçiç përfiton nga gjithçka që e pengon ta zbatojë marrëveshjen që SHBA-ja dhe BE-ja thonë se e ka pranuar [për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën]… Kurti sigurisht përfiton, sepse presioni tani është vetëm për hapat e shtensionimit [të situatës në veri], dhe jo te çështja e Asociacionit…”, thotë Joseph.
Sipas tij, Vuçiç nuk është partner i SHBA-së, por edhe Kurti “ka qenë jashtëzakonisht i vështirë dhe i papërgjegjshëm në qasjen e tij ndaj veriut” dhe “kjo nuk është në përputhje me të qenët partner i mirë me Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimin”.
Radio Evropa e Lirë: Një takim mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, do të mbahet më 14 shtator. Për herë të fundit, ata janë takuar më 2 maj. Çfarë prisni nga takimi i radhës?
Edward Joseph: Nuk mendoj se mund të presim shumë përparim. Kjo nuk do të thotë se nuk ka mundësi për asnjë përparim, por, thjesht, nuk duhet të kemi pritje shumë të mëdha. Do të befasohemi këndshëm, nëse do të ketë përparim.
Ajo që është e rëndësishme të dalë nga ky takim, është që Brukseli ta kujtojë secilin se ka një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë. Është e rëndësishme për BE-në që të ndalojë së foluri për dialogun, sepse ka një marrëveshje, një marrëveshje që ka ofruar Brukseli dhe që është arritur në shkurt. Ka, po ashtu, një aneks që i adreson të gjitha çështjet e zbatimit të saj, [për të cilin është rënë dakord në Ohër]. Dhe, është e rëndësishme që BE-ja t’i kthehet asaj dhe t’i kujtojë palët se – sipas vetë BE-së dhe SHBA-së – janë të detyruara ta zbatojnë.
Radio Evropa e Lirë: Situata në veri të Kosovës mbetet e pazgjidhur. Në fushën e kujt është topi tani?
Edward Joseph: Topi është në fushën e BE-së dhe të SHBA-së për të dalë nga kjo [situatë].
Ne mund ta drejtojmë gishtin e fajit kah Albin Kurti, i cili kritikohet ashpër edhe në Kosovë, nga opozita e tij, për veprimet e pamatura, për tendosjen e marrëdhënieve me SHBA-në dhe me BE-në, për refuzimin e planit të BE-së për shtensionimin [e situatës në veri] dhe për ndëshkimet që kanë goditur Kosovën për shkak të veprimeve të tij. Pra, qartazi, Kurti ka faj. Por, kjo nuk do të thotë se Aleksandar Vuçiç është i pafajshëm dhe se topi nuk është, gjithashtu, në fushën e tij. Sepse, Vuçiç ka një rol të madh në krijimin e kësaj krize.
Kur flasim për topin në fushë, mendohet se vetëm një aktor duhet të veprojë, por kjo nuk është e vërtetë.
Vuçiç ka pasur një rol jashtëzakonisht të madh në krijimin e kësaj krize, duke mos bërë asgjë kundër bojkotimit të zgjedhjeve [në veri të Kosovës nga ana e serbëve lokalë]. Këtë e ka bërë pas Marrëveshjes së Ohrit, me të cilën Kurti është pajtuar në parim për krijimin e Asociacionit [të komunave me shumicë serbe] – gjë të cilën ka thënë se nuk do ta bëjë kurrë.
Pra, nuk mund të thuhet se topi është në fushën e Kurtit dhe nuk është në fushën e Vuçiçit. Është vërtet në fushën e BE-së dhe të SHBA-së. Ato duhet të jenë serioze për këtë, të sigurojnë se kanë një marrëveshje dhe të marrin hapa për t’i mbajtur palët të përkushtuara në zbatimin e asaj marrëveshjeje.
Radio Evropa e Lirë: Atëherë, kush mendoni se përfiton nga krizat e vazhdueshme në veri?
Edward Joseph: Po ju them se kush nuk përfiton dhe ata janë të gjithë qytetarët e Kosovës që jetojnë në veri: serbë, shqiptarë, boshnjakë… Ata sigurisht që nuk përfitojnë. Por, përfitojnë të gjithë ata që janë përfitues të status quo-së. Ata përfshijnë strukturat në veri, të cilat përfitojnë nga fakti që nuk ka sundim të qëndrueshëm të ligjit në zonë.
Politikisht, unë do të thosha se Aleksandar Vuçiç përfiton nga gjithçka që e pengon ta zbatojë marrëveshjen që SHBA-ja dhe BE-ja thonë se e ka pranuar. Kurti sigurisht përfiton, sepse presioni tani është vetëm për hapat e shtensionimit [të situatës në veri], dhe jo te çështja e Asociacionit.
Radio Evropa e Lirë: Po flisni për shtensionimin… Autoritetet e Kosovës kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të mbajtur zgjedhjet e reja në veri. A mendoni se serbët lokalë do të merrnin pjesë në atë proces?
Edward Joseph: Vuçiç e ka mbështetur bojkotimin e zgjedhjeve [në prill] edhe pas Marrëveshjes [së Ohrit] në mars. Ajo ka qenë koha për të ndryshuar politikën, për të parë nëse janë në një epokë të re. Nuk e di përgjigjen në pyetjen tuaj.
Radio Evropa e Lirë: Të ndalemi pak te politika evropiane dhe amerikane. Një grup i politikanëve evropianë dhe amerikanë u ka dërguar një letër udhëheqësve të SHBA-së dhe BE-së, duke iu kërkuar që ta shqyrtojnë qasjen e tyre për uljen e tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë. Ata kanë kritikuar “mungesën e presionit ndaj Serbisë”. Çfarë mendoni ju për këto kritika?
Edward Joseph: Letra u ka bërë jehonë shumë kritikave që unë kam nxjerrë në artikullin tim, të publikuar në qershor, në gazetën Foreign Policy, me titullin “SHBA-ja po krijon krizë në Kosovë”. Ajo ka reflektuar kritikat që unë kam ngritur për qasjen e BE-së dhe të SHBA-së pas dhunës së 29 majit [në Zveçan, në veri të Kosovës]. Sulmet e serbëve kundër ushtarëve të KFOR-it [misionit të NATO-s në Kosovë] kanë qenë shumë serioze. Dhe reagimi, siç e kam thënë në atë artikull, ka qenë pothuajse tërësisht i njëanshëm.
Vetëm Kurti është fajësuar për këtë, ndërsa dhuna është kryer nga serbët. Dhuna ka përfshirë koktej molotovi, që, qartazi, është dashur të përgatiten paraprakisht. Kjo do të thotë se ky lloj i dhunës ka qenë i planifikuar. Kjo sugjeron fuqishëm se Beogradi ka qenë në dijeni, se burimet e tij kanë qenë, sipas të gjitha gjasave, në dijeni, dhe presidenti Vuçiç nuk ka bërë asgjë për ta ndaluar atë. Ai sigurisht se e ka ditur për kërcënimin e dhunës dhe nuk ka ndërmarrë hapa për ta ndaluar atë. Dhe, SHBA-ja dhe BE-ja kanë reaguar në mënyrë të konsiderueshme kundër Kurtit dhe kanë lavdëruar Vuçiçin, duke e konsideruar partner.
Pra, letra u bën jehonë shqetësimeve të mia për këtë dhe të kuptuarit më të gjerë se ky nuk është vetëm problem i Albin Kurtit, që është oportunist dhe populist dhe vepron në mënyrë të pamatur, duke injoruar përgjegjësitë e tij për t’u koordinuar, për të respektuar atë që NATO-ja thotë në lidhje me dislokimin në veri, por reflekton edhe mosgatishmërinë për t’u marrë me rolin e Aleksandar Vuçiçit në Kosovë dhe me faktin se ai nuk do zgjidhje.
Radio Evropa e Lirë: Atëherë, kush mund të konsiderohet partner i afërt i Perëndimit, Kurti apo Vuçiç, dhe pse?
Edward Joseph: Kjo ngre një pyetje më të gjerë. Albin Kurti ka qenë jashtëzakonisht i vështirë dhe i papërgjegjshëm në qasjen e tij ndaj veriut. Kjo nuk është në përputhje me të qenët partner i mirë me Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimin. Por, Kosova është në linjë me SHBA-në dhe mbështet SHBA-në sa i përket kërcënimit më të madh të sigurisë në Evropë, në këtë shekull, e që është pushtimi i Ukrainës nga Rusia.
Aleksandar Vuçiç nuk është, ai nuk është partner i SHBA-së, pavarësisht faktit se disa zyrtarë amerikanë vazhdojnë të thonë se ai është partner gjithnjë e më i mirë i SHBA-së. Ai nuk është. Ai vazhdon të jetë edhe partner i Vladimir Putinit [presidentit rus]. Ai e ka dëshmuar këtë në disa aspekte. Ai refuzon ta shkarkojë Aleksandar Vulinin [drejtorin e Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit në Serbi], edhe pse ai është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara. Vulin është bashkëpunëtor i hapur i Rusisë, dhe jo si Vuçiç që është bashkëpunëtor më delikat.
Serbia mbështet dhe është nikoqire e [mediumeve ruse] Russia Today, Sputnik, promovon narrativa pro-ruse, ka tregti të gjerë, ka fluturime me Rusinë. Pra, Aleksandar Vuçiç nuk është partner i Shteteve të Bashkuara, në çështjet tona më të rëndësishme të politikës së jashtme, dhe nuk është partner as sa i përket arritjes së vërtetë të stabilitetit demokratik në rajon.
Radio Evropa e Lirë: Deri kur mendoni se Perëndimi do t’i tolerojë autoritetet serbe që të mos e sanksionojnë Rusinë [për shkak të pushtimit të Ukrainës]?
Edward Joseph: Mendoj se mbetet një pyetje e hapur në administratë. Mendoj se disa zyrtarë janë nën iluzionin se Aleksandar Vuçiç mund të jetë partner ose është tashmë partner i Shteteve të Bashkuara, ndërsa të tjerë nuk e kanë këtë iluzion dhe e shohin Vuçiçin ashtu siç është.
Radio Evropa e Lirë: Edhe një pyetje të fundit – Kurti ka thënë se është urgjente të rregullohen marrëdhëniet me Serbinë, përpara zgjedhjeve në SHBA [më 2024]. Pse do të kishte rëndësi kjo?
Edward Joseph: Ai nuk është i vetmi që është në dijeni të faktit se vitin e ardhshëm do të ketë zgjedhje presidenciale në SHBA. Vitin e ardhshëm janë edhe zgjedhjet për Parlamentin Evropian.
[Zgjedhjet] do të jenë një shpërqendrim i madh për SHBA-në dhe do ta bëjë atë më pak të prirë për të marrë iniciativa ose për të ofruar vëmendje të nivelit të lartë në këto çështje. Shumë e thonë këtë, jo vetëm Kurti. Pra, ka njëfarë presioni kohor. Dhe kjo, në fakt, mund të jetë një gjë e mirë, sepse mund t’i përqendrojë përpjekjet dhe mund ta bëjë SHBA-në dhe BE-në të jenë më serioze.
/a.r