Vëllai i 25-vjeçares, e cila akuzoi të atin për përdhunim, ka rrëfyer tragjedinë në familje.
Albi tregoi se familja e tij jetonte në kushte të mjerueshme, ku i ati konsumonte alkool ndërsa e ëma kishte probleme të shëndetit mendor.
I ftuar në emisionin “Me zemër të Hapur”, tregoi se vëllai i tij ishte vetëm 1 muajsh kur humbi jetën për shkak të kequshqyerjes. Por familja u përball me një tjetër tragjedi rreth 1 vit më vonë, ku vëllai tjetër dhe e motra 6 muajshe pinë ilaçet e mamasë dhe për pasojë humbën jetën në 1 ditë.
I riu tregoi se ai dhe e motra, Silvana, vajza e cila akuzoi të atin për përdhunim, u dërguan në jetimore nga një kushëri i tyre.
Rrëfimi prekës i Albit: “Vëllai ishte 1 muajsh ndërroi jetë për shkak të kequshqyerjes, kërkonim ushqim nga komshinjtë. Ai vdiq 1 vit përpara se të ndodhte tragjedia tjetër.
Unë kam qenë 6-7 vjeç. Dola në mëngjes, isha shumë mistrec, ika për xhiro. Kur u ktheva dhe hyra brenda në shtëpi pashë që motrës 6 muajshe i merreshin mendt, qante e ulëriste, rrotullohej në tokë. I thirra mamasë që po fshinte oborrin, i pashë motrës ilaçet në dorë dhe ia mora. Më pas i thashë babait që ta çonte në spital dhe prita tek gjyshi. Në orën 4 vjen kushërira me vëllain, edhe ai kishte pirë ilaçin. I kishte bërë me sheqer dhe ujë sepse ngjanin si karamele. Qante, nuk mund të fliste. Niset gjyshi për ta dërguar në spital, por ndërroi jetë. Motra dhe vëllai të dy vdiqën në të njëjtën ditë.
Nga kjo tragjedi kemi mbijetuar vetëm unë edhe motra.
Kemi qenë të vuajtur dhe vazhdojmë të jemi. Edhe nëna nuk ka pasur shumë faj. Ilaçet i pinte nëna, nuk e di se për çfarë ishin, nëna vuante nga shëndeti mendor.
Tragjedia tjetër, babai goditi mamanë, i çau kokën. Ishte tragjedi, unë isha gjumë, kur u zgjova mamanë e pashë të gjakosur në oborr.
Ishte shumë e dhimbshme për mua. Një kushëri i mamasë na dërgoi në jetimore, kishte dërguar edhe fëmijët e tij.”
/a.r