Trajneri i Polonisë, Fernando Santos, është larguar kokulur nga Tirana, pas humbjes 2-0 të dielën në “Arenën Kombëtare”, që ndërlikon së tepërmi shanset e skuadrës së tij për t’u kualifikuar në finalet e Euro 2024.
Polonia ndodhet në vend të katërt në renditje, me vetëm 6 pikë nga 5 ndeshje të luajtura në grupin E, që kryesohet nga Shqipëria.
Ndërkohë që delegacioni polak po i drejtohej avionit, një grup tifozësh shqiptarë që ndodheshin gjithashtu në Rinas kanë përshëndetur me ironi trajnerin kampion Europe me Portugalinë.
Santos ndodhet në pozitë të vështirë dhe rrezikon edhe shkarkimin, diçka që e kërkuan edhe tifozët pas humbjes me Shqipërinë. Por në konferencën për media pas ndeshjes, trajneri hodhi poshtë këto pretendime.
“Dorëheqja ime? Pyeteni presidentin për këtë. Nëse ai vendos që nuk ka kuptim që bashkëpunimi të vazhdojë më tej, atëherë unë largohem. Nuk ka asnjë arsye pse t’i kthehemi kësaj çështje. Unë nuk do të jap dorëheqjen”, tha Santos.
/a.r