111 pasagjerë, por me asnjë valixhe! Një avion i “Swiss International Air Lines” ka mbërritur në destinacion pa asnjë bagazh.
Mediat e huaja shkruajnë se çantat e pasagjerëve u lanë në Zyrih ndërkohë ata vetë kanë arritur në Bilbao të Spanjës.
Mësohet se pasagjerët pritën më shumë se dy orë për kontrollin e valixheve, por mungesa e stafit e bëri të pamundur një proces të tillë. Edhe ekuipazhi i fluturimit priti një orë e 16 minuta po ashtu për ngarkimin e çantave.
Sipas “Blick”, disa pasagjerë thanë se piloti kërkoi falje për vonesën në nisje, por nuk u përmend kurrë fakti se valixhet ishin lënë në Zyrih. Një nga pasagjerët, Carsten Redlich u shpreh se pushimet e tij u shkatërruan, e normalisht kështu u shprehën thuajse të gjithë pasagjerët.
Nuk është hera e parë që një aeroplan niset pa çantat e pasagjerëve. Në korrik, dy avionë që fluturuan nga Athina në Singapor, morën vetëm pasagjerët dhe jo valixhet. Kjo siç deklaroi ekuipazhi, prej vapës e cila shtohet me bagazhet dhe ndikon në performancën e motorëve të avionit.
“Swiss” nuk ka dalë ende me një deklaratë zyrtare për rastin.
/a.r