Janë sekuestruar 15 mijë euro në Kapshticë. Policia bën me dije se ato i posedonte një 54-vjeçare, e cila do procedohet penalisht.
“Sekuestrohen 15 000 euro, procedohet penalisht 54-vjeçarja që nuk i deklaroi. Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, krahas angazhimit për të ofruar shërbim korrekt, për shtetasit që hyjnë ose dalin në këtë pkk, vijojnë punën parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Në kuadër të kontrolleve të shtuara për këtë qëllim, bazuar dhe në analizën e riskut, në dalje të Republikës së Shqipërisë, gjatë kontrollit të ushtruar në çantën personale të shtetases B. I., u gjetën 15 000 euro që kjo shtetase nuk i kishte deklaruar siç përcaktohet me ligj. Kjo shumë monetare u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Korçë referuan materialet në Prokurori, për shtetasen B. I., 54 vjeçe, banuese në Durrës, ku nisi procedimi në gjendje të lirë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme”, bën me dije policia.
/a.r