4 persona janë vënë në pranga në Himarë. Policia bën me dije se 3 kosovarët bashkë me një shtetas gjerman vepronin si grup kriminal për trafikimin e kokainës.
Njoftimi i policisë:
Dhërmi, Himarë/Finalizohet operacioni policor antidrogë i koduar “ION”.
Operacioni, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë dhe ato të Seksionit kundër Narkotikëve të DVP Vlorë, në vijim të operacioneve të finalizuara në nivel qarku, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, në sasi dhe në doza.
Shitën doza të drogave të ndryshme, gjatë një festivali që u zhvillua në Dhërmi, arrestohen 4 shtetas që vepronin si grup kriminal (3 të arrestuar, kosovarë, i arrestuari tjetër, gjerman).
Sekuestrohen sasi të lëndëve narkotike kokainë, MDMA dhe ekstazi, mjete që shërbenin për ndarjen e drogave, në doza, si dhe 4250 euro dhe 101 900 lekë të përfituara nga shitja e dozave të drogave.
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara për goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike, si dhe në zbatim të planit të masave të hartuar nga Policia e Vlorës, për mbarëvajtjen e aktiviteteve argëtuese që zhvillohen në qark, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë kanë siguruar informacion për disa shtetas që vepronin si grup, për të shitur doza të drogave të ndryshme, gjatë një festivali, në Dhërmi.
Në bazë të këtyre informacioneve, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit kundër Narkotikëve të DVP Vlorë, u finalizua operacioni policor antidrogë i koduar “ION”, në kuadër të të cilit shërbimet e Policinë ndërhynë menjëherë në perimetrin ku zhvillohej festivali, dhe bënë të mundur kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve:
A. B., 33 vjeç, banues në Gjakovë, A. B., 31 vjeç, banues në Gjakovë, A. P., 39 vjeç, banues në Prishtinë dhe D. N., 43 vjeç, banues në Gjermani.
Këta shtetas u kapën në flagrancë teksa në formën e grupit, siguronin droga të ndryshme, i ndanin ato në doza të cilat i shitnin te turistët dhe pushuesit, të cilët po ndiqnin një festival të organizuar në Dhërmi.
Me cilësinë e provës materiale, Policia sekuestroi doza dhe tableta të lëndëve narkotike kokainë, MDMA dhe ekstazi, 151 qese farmaceutike dhe peshore elektronike që shërbenin për ndarjen e lëndëve narkotike, në doza, 4250 euro dhe 101 900 lekë të përfituara nga kjo veprimtari kriminale, një automjet, 4 celularë dhe një kartëmonedhë 20 euro false.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.