Morena dhe Domeniko kaluan Adriatikun vitin e shkuar për të vizituar Shqipërinë.
Erdhën për turizëm por mbetën të befasuar nga natyra, klima, njerëzit dhe mikpritja ndaj vendosën të qëndrojnë më gjatë. Eksperiencën e re jetësore e nisën në Vlorë.
Pranverën e këtij viti u njohën me dy shqiptarë, pronarë të një restoranti, të cilët i punësuan dhe sot thonë se ndihen si një familje.
“Jam nga Vareze, erdha një vit e gjsymë më parë. Njoha Gerin i cili sot është si një vella për mua. Dua të kem një experiencë të re. Banoj në Vlorë, jam qytetar i Vlorës, jam i befasuar nga ky qytet dhe nuk e ndërroj më. Në Itali nuk do të kthehem më, vetëm si turist” thotë Domeniko per ABC.
“ Erdhëm si turistë por vendi na pëlqeu shumë dhe vendosëm të qëndrojmë më shumë. Kemi ardhur për një experiencë të re, ndihemi mirë dhe kemi mësuar shumë gjëra” shprehet Morena.
Domeniko punon në bar ndërsa bashkëshortja e tij, Morena në kuzhinë.
“ Këtu punoj në bar, në kuzhinë, jap ndihmë aty ku duhet. Këtu punoj që prej marsit dhe më pëlqen shumë, nuk e ndryshoj më si vend. Eshtë një experiencë e mirë. Fillimi nuk ishte i lehtë por u përshtata shpejt” tregon ai.
“ Punoj në kuzhinë, është punë e re për mua sepse me parë nuk kisha shumë njohuri mbi kuzhinën dhe gatimet. Shqipëria është e bukur, kemi gjetur njerëz të sjellshëm” theksoi ajo.
Thonë se në Vlorë janë njohur edhe me italianë të tjerë të cilët kanë vendosur të jetojnë dhe punojnë në qytetin bregdetar./m.j