Shqipëri – Poloni do jetë ndeshja e ditës së dielë (10 shtator) e cila do zhvillohet në “Air Albania”, duke nisur nga ora 20:45. Dueli vlen për kualifikueset e Euro 2024, në grupin E. Pas barazimit 1-1 kundër Çekisë në Pragë, entuziazmi te kuqezinjtë është shtuar, teksa tanët mbajnë vendin e dytë në grup, duke lënë pas Poloninë dhe qëndrojnë një pikë më pak se çekët kryesues.
Dueli në “Air Albania” pritet të jetë i zjarrtë, me Federatën Shqiptare të Futbollit që ka marrë masa për këtë duel. Duke qenë se biletat janë shitur rreth një muaj më parë dhe në stadium priten 21 mijë tifozë, organi i futbollit kërkon që mos ketë sende të forta në fushë, çka mund të sjellë pezullimin e ndeshjes apo dënimin me gjobë nga UEFA.
Kësisoj, pas portave, aty ku pritet të jenë edhe tifozët më të zjarrtë, janë vendosur rrjeta që pengojnë hedhjen e sendeve të forta në fushë. Kjo është hera e parë që aplikohet një strukturë e tillë, ndërsa diçka e tillë ndodh edhe në vendet e Evropës.
Për të shmangur përplasjet mes tifozëve, ata miq që pritet të jenë diçka më shumë se 1 mijë të tillë do qëndrojnë në sektorin e veçantë në dy kate. Kujtojmë se në tetorin e 2021 polakët shkaktuan probleme në “Air Albania”, duke u përplasur edhe me tifozët e Shqipërisë dhe policinë. Këtë herë duket se masat janë më të forta, për të shmangur çdo lloj incidenti, para, gjatë dhe pas ndeshjes.
Për t’u theksuar është edhe gjendja e fushës, që në pamjet e fundit duket në kushte të mira. Kujtojmë se prej një muaji në “Air Albania” nuk është zhvilluar asnjë ndeshje, për shkak të mbjelljes së barit të ri./m.j