Zëvendëspresidentja dhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, është shprehur se Serbia duhet ta njohë Kosovën, teksa ka shtuar se Serbia është e vetëdijshme se Bashkimi Evropian, pas rastit të Qipros, nuk do të pranojë më asnjë shtet anëtar që nuk i ka kufijtë e definuar.
Kur ka folur për integrimin e serbëve, Lunaçek ka përmendur edhe faktin se serbët janë të përfaqësuar në Qeverinë e në Kuvendin e Kosovës. “Madje e ndihmuan Hashim Thaçin të zgjidhet President i Republikës së Kosovës, duke i siguruar kuorum”.
Në një intervistë dhënë Kuririt të Beogradit, ajo ka folur edhe për liberalizmin e vizave, duke thënë se kjo duhet të bëhet sa më shpejt për Kosovën, duke nënvizuar se është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që ka ende regjim vizash, përcjell Koha.net. Por një çështje tjetër që prek Lunaçek është Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe në Kosovë.
Lunaçek për Asociacionin thotë se duhet të zbatohet si Marrëveshje e arritur në Bruksel mes Prishtinë dhe Beogradit. Ajo ka thënë se gjetjet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për këtë marrëveshje duhet të përfshihen në formulimin e Ligjit dhe Statutit.