Kombëtarja shqiptare e futbollit luan sot në Pragë në orën 20:45 kundër Çekisë vendase, me duelin që vlen për kualifikueset e grupit E të Euro 2024 që do zhvillohet në Gjermani vitin që vjen. Kur na ndajnë katër orë nga ndeshja, tifozët e Kombëtares janë bërë bashkë dhe kanë “pushtuar” sheshet pranë “Fortuna Arena”, aty ku do zhvillohet ndeshja.
Me këngë patriotike dhe me valle, kuqezinjtë duken si në shtëpinë e tyre, teksa pritet që më shumë se 4 mijë fansa shqiptarë të jenë në stadium, edhe pse zyrtarisht do duhet të ishin diçka më shumë se 1200.
Që prej ditës së djeshme tifozët e Kombëtares ishin prezent në Pragë, duke kthyer në festë sheshet dhe lokalet në kryeqytetin çek. Tanimë është radha e Sylvinhos që të hedhë në fushë më të mirët, teksa ka balotazh në dy pozicione.
Nëse në portë Berisha duket i sigurt, mbrojtja pritet t’i besohet Mitajt nga e majta, që ul në stol Balliun. Gjimshiti, Ismajli dhe Hysaj plotësojnë prapavijën, ndërsa në mesin e fushës Ramadani dhe Bajrami duken të sigurt, nëse nuk ka surpriza. Një fanellë titullari kërkojnë edhe Asllani me Gjasulën, që janë në garë për një vend në formacion.
Në sulm mund të kemi surpriza, me Seferin që mund të zërë vendin e Uzunit. Asani dhe Cikalleshi duken të paprekshëm. Kujtojmë se skema pritet të jetë 4-3-3, me Sylvinhon që mund të rezervojë surpriza në formacionin titullar./m.j