Policia Rrugore e Elbasanit njofton se ka identifikuar dhe ndëshkuar me gjobë 3 mijë lekë të reja disa drejtues automjetesh, të cilët janë filmuar nga qytetarë të tjerë në radhë, në fund të autostradës Tiranë – Elbasan.
“Policia Rrugore e Elbasanit/Partneritet i vazhdueshëm Polici-qytetarë, për të identifikuar dhe ndëshkuar shkelësit e rregullave të qarkullimit rrugor. Qytetarët filmojnë raste të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, i dërgojnë në Polici, shërbimet reagojnë menjëherë, identifikojnë dhe ndëshkojnë drejtuesit e mjeteve.
Pas filmimeve të dërguara në strukturat e Policisë Rrugore të Elbasanit, përmes të cilave qytetarët kanë denoncuar raste të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, në dalje të autostradës “Tiranë-Elbasan”, shërbimet e Policisë kanë kryer menjëherë verifikimet e nevojshme. Nga këto verifikime janë identifikuar 5 drejtues mjetesh, të cilët duke lëvizur mbi vijën e bardhë kufizuese të karrexhatës, kanë shkelur nenin 144 të Kodit Rrugor, i cili sanksionin mosrespektimin e sinjaleve rrugore horizontale.
Në bazë të pikës 2 të nenin 144 të Kodit Rrugor, secili prej këtyre 5 shtetasve u ndëshkua me masë administrative 3000 lekë. Policia Rrugore e Elbasanit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës, që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, si dhe të vijojnë të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast të shkeljes së tyre.”
Njoftimi i Policisë së Elbasanit
/f.s