Në qytetin e Pejës në Kosovë u mbajt Kampionati Ballkanik i Xhudos për të rritur. Nëntë shtete nga rajoni morën pjesë në këtë aktivitet, teksa në Pallatin e Sportit “Karagaqi” ishin sportistët e Kosovës që mbretëruan, duke treguar se jo rastësisht janë kampionë në këtë sport.
Për Shqipërinë i vetmi që siguroi podiumin ishte Indrit Çullhaj. Sportisti i Tiranës mori medaljen e bronztë, për vendin e tretë. Çullhaj, ish-kampion Ballkani, fitoi medalje bronzi në peshat 73 ilogramë, që ishte edhe një prej kategorive me konkurrencën të fortë në këtë aktivitet.
Xhudisti i Tiranës kaloi me sukses tri sfidat e para, për t’u mundur më pas nga kampioni i Europës, shqiptari i Kosovës Akil Gjakova. Çullhaj reagoi mjaft mirë në duelin për medaljen e bronztë, aty ku mposhti turkun Soner Kumtas, duke siguruar një vend në podium, për t’i dhënë kështu medaljen e vetme Shqipërisë në Kampionatin Ballkanik të Xhudos.
Nga ana tjetër Kosova dominoi këtë aktivitet me tetë medalje të arta, dy të argjendta dhe pesë të bronzta; kjo në garat individuale për të rritur. Kosova u shpall kampione edhe në garat ekipore, duke shtuar edhe një tjetër medalje të artë, për ta çuar në total në 15 medalje bilancin e këtij aktiviteti./f.s