Punonjësi i policisë dhe i vëllai janë regjistruar teksa bënin thirrje në momentet kur 5 persona po i godisnin me shkopinj bejsbolli, teksa ishin brenda në makinë, në rrugën “Besim Alla” në kryeqytet.
Efektivi E.Fana i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe i vëllai u kërkojnë që të ndalin dhunën.
Madje në një moment ata dëgjohen të thërrasin me zë të lartë që dikush të njoftojë policinë.
Personi që filmon dëgjohet teksa thotë: “E rrahën”.
Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të datës 2 Shtator. Një prej autorëve, 29-vjeçari Blerim Bulica, ra në pranga pas disa orë ndjekjeje nga policia. Ndërkohë, katër personat e tjerë, që u përfshinë në ngjarje dhe që dhunuan policin dhe vëllanë e tij u shpallën në kërkim. Bëhet fjalë për Besart, Shaban, dhe Bekim Bulicën, si dhe Benard Aliajn, 34 vjeç.
I arrestuari Blerim Bulica pretendon se me vëllanë e punonjësit të policisë njiheshin prej kohësh, për shkak të origjinës së njëjtë të të dy palëve nga Kukësi.
Ai dëshmoi se konflikti ka qenë i hershëm për një shumë parash që nuk u ishte kthyer. Disa herë, sipas tij janë takuar për t’u sqaruar dhe gjatë kohës që kanë komunikuar së bashku kanë përfunduar me fyerje ndaj njëri-tjetrit.
/a.r