Kryetari i PD, Lulzim Basha i ka bërë thirrje përkrahësve të Sali Berishës të cilët i cilësoi si demokratët e Foltorës, që të bashkohen me Partinë Demokratike. Sipas tij, miqtë e Foltores jane te mirepritur t’i bashkohen PD-se ne çdo moment.
“Unë sot i bëj një thirrje miqve tanë të Foltores, anëtarëve të thjeshtë deri te strukturat e asaj lëvizje.
Të gjithë kanë një vend në partinë e madhe demokratike, të gjithë mund të bashkohen pa asnjë kufizim, në çdo çast, në çdo moment janë të mirëpritur për të ndërtuar një aleancë të madhe jo thjesht mes demokratëve por edhe me shoqërinë shqiptare.
Gjatë punimeve të Kuvendit Kombëtar Basha deklaroi se do krijojë një Federatë të djathtë me aleatët e Partisë Demokratike.
“Ne do të ndërtojmë një federatë të gjerë, jo thjesht me parti të tjera të djathta dhe aleate të cilat janë të mirëpritura në projektin tonë të përbashkët.
I bëj thirrje nga ky podium, edhe në emrin tuaj, kujtdo që beson te Partia Demokratike, kushdo që beson te një e ardhme më të mirë , kushdo që kërkon të japë kontribut për Shqipërinë, kushdo që beson te një politikë ndryshe dhe të moralshme, dyert e Partisë Demokratike do të jenë të hapura.
Pedagogë, ekspertë në fusha të ndryshëm, të rinj të talentuar që Shqipëria i ka me shumicë, gazetarë e artistë, apo intelektual publik, profesionistë dhe sipërmarrës të diasporës së mrekullueshme shqiptare, Partia Demokratike, e djathta shqiptare dhe Shqipëria ka nevojë për kontributin tuaj. Prandaj ne jemi të hapur, unë personalisht do të jem gjithmonë i gatshëm dhe në kërkim të mirëpres kontributin tuaj për të ndërtuar të ardhmen që shqiptarët meritojnë”, thekson ai.