Në përfundim të mbledhjes së grupit parlamentar të Rithemelimit u vendos që të vijojnë negociatat me grupin e deputetëve që mbështesin Gazmend Bardhin, për unifikimin në një grup të vetëm.
Gazetari i Euronews Albania zbuloi më shumë detaje nga diskutimet në mbledhjen e deputetëve demokratë.
Hoxha tha se diskutimet ishin të fokusuara kryesisht te bashkimi me grupin e Bardhit, ku ky i fundit të drejtojë grupin parlamentar në parlament.
“Çështja kryesore sot tek PD, janë negociatat që po zhvillon Gazment Bardhi me grupin e Sali Berishës, për të dalë të bashkuar në parlament në një grup parlamentar, sigurisht nën drejtimin e Gazment Bardhit, për të pasur në një farë mënyre edhe një zë të unifikuar në parlament”- tha gazetari.
Gazetari theksoi se edhe deklaratat e bëra nga Bardhi dhe Berisha këtë të premte ishin në sinkron me njëra tjetrën, ku as njëri as tjetri nuk ia mbylli derën bashkimit.
“Janë në sinkron me atë që deklaroi Berisha në konferencën me gazetarët, pra nuk e mbyll derën, lë të hapur mundësinë e bashkimit me këtë grup. Madje Bardhi ka hedhur dhe idenë e një mbledhje të përbashkët të të gjithë deputetëve, ku të gjithë të flasin hapur dhe të shprehin qëndrimet e tyre”- tha Hoxha.
Edhe vetë Berisha gjatë mbledhjes së grupit parlamentar përjashtoi mundësinë e bashkimit me Bashën, por tha se negociatat vijojnë me grupin e mbështetësve të Gazmend Bardhit.
“Grupi me unanimitet të plotë, pas diskutimit të secilit, të çdo anëtari ishte i mendimit që të vazhdojnë negociatat me deputetët e tjerë, me Gazment Bardhin me kryetarin e grupit dhe të tjerë, për arritjen e një bashkimi, pasi konstatohet se ky vullnet është tek të gjitha palët. Ky është një vendimi drejtë, në përputhje me interesat e PD-së.
Me Bardhin dhe çdo deputet tjetër përveç Ali Bashës dhe Lul pengut, kjo parti është e hapur për diskutime. Ata të dy e kanë nxjerrë veten jashtë, janë shndërruar në pengje të Ramës. Kanë bërë zgjedhjen e vet”, tha Berisha.