Policia Fierit njofton se ka identifikuar autorët e 3 zjarrvënieve në fshatrat Luar, Kreshpan dhe Grabian. Ndërsa policia e Dibrës njofton se ka ndaluar autorin e dyshuar të zjarrvënies në zonën e Lurës
Sipas njoftimit të policisë Fier, është arrestuar njëri prej tyre dhe janë proceduar në gjendje të lirë 2 të tjerët, pasi si pasojë e zjarreve që ndezën, u dogjën sipërfaqe të mbjella dhe sipërfaqe me bimë të ulëta.
“Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Fier, në bashkëpunim me shërbimet mbështetëse, pas njoftimeve për 3 vatra zjarri në fshatrat Luar, Kreshpan dhe Grabian, u identifikuan dhe u proceduan penalisht autorët e të 3-ja rasteve. Konkretisht:u arrestua shtetasi P. H., banues në Luar, pasi për shkak se ka ndezur zjarr në tokën e tij, për të djegur mbeturina, janë djegur dhjetëra rrënjë ullinj, në pronësi të një shtetasi tjetër; u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin F. M., banues në Kreshpan, pasi për shkak se ka ndezur zjarr në tokën në pronësi të tij, është djegur një sipërfaqe toke me barishte dhe me shkurre; u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin V. N., banues në Grabian, Divjakë, pasi për shkak se ka ndezur zjarr në tokën në pronësi të tij, është djegur një sipërfaqe toke me barishte dhe me shkurre”, njofton Policia e Fierit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme. Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për qytetarët që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi ky veprim përbën krim dhe ndëshkohet penalisht, si dhe i fton ata që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të tillë, me qëllim ndërhyrjen e menjëhershme për shuarjen e flakëve dhe procedimin penal të shtetasve përgjegjës.
Sakaq, Policia e Dibrës njofton se, “me datë 28.08.2023, Policia e Dibrës ka marrë njoftim se në një zonë me bimësi në Lurë, kishte rënë zjarr dhe si pasojë e erës zjarri po përhapej, menjëherë kanë shkuar në adresën e dhënë ku në bashkëpunim me shërbimin zjarrfikës, për shkak të terrenit të vështirë, pas shumë orësh pune kanë bërë të mundur fikjen e zjarrit”.
“Në vijim të hetimeve të thelluara për të identifikuar dhe vënë përpara përgjegjësisë ligjore autorin e zjarrvënies, specialistët për Hetimin e Krimeve të Policisë Dibër, kanë shpallur në kërkim dhe po punojnë intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e shtetasit S.K., 32 vjeç, banues në Lurë, pasi dyshohet se është autori i zjarrvënies, ku si pasojë u dogj një sipërfaqe prej 5 hektarë me bimësi”, njofton Policia.
“Po nga këto shërbimet, u referuan materialet në Prokurori si “ngjarje aksidentale” , pasi dyshohet se aksidentalisht, ka marrë flakë dhe është djegura automjeti i shtetasit Sh.C., që e kishte lënë parkuar në ambientet e një servisi në Maqellarë. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, përfundon njoftimi.