Ish-kryeministri Sali Berisha i ka uruar shërim të shpejtë liderit historik të PS-së Fatos Nano, në mbyllje të konferencës së sotme me gazetarët.
“Me gjithë sinqeritetin dhe me gjithë zemër, i uroj Fatos Nanos, shërim të shpejtë dhe të plotë! Ta kalojë këtë situatë jo të lehtë dhe të rikthehet në familjen e tij ”, tha Berisha.
Por, kryedemokrati nuk la pa përmendur Kryeministrin Edi Rama edhe në këtë moment, duke e cilësuar “Jago të Fatos Nanos”.
“Nuk dua të shkoj më tej, se po të shkoj më tej, do të dënoja me ashpërsinë më të madhe fasadën e Jagos, se nëse kishte një Jago, Edi Rama ishte Jago i Fatos Nanos, të themi të vërtetën. Të të qajë Jagoja, Zoti është i madh, nuk kam çfarë them tjetër. Çfarë mirënjohje nga Rama për Nanon? Vetëm mirënjohje nuk ekziston për atë mbi tokë. Nuk ka moment fatkeqësie që Edi Rama të mos e përdorë për qëllime të veta. Kur përdor edhe të tjera, se nuk po hyj t’i numëroj. Se disa janë krime të mirëfillta në kodin e etikës medikale, etj me radhë. Ai përbën një Jago dhe e ka të qartë çdo socialist i vërtetë shqiptar, që ka pasur integritetin të mbetet socialist dhe të shndërrohet në rilindës. Rilindësit janë sekt i veçantë”, përfundoi Berisha.
Kujtojmë se ish-kryeministri Fatos Nano ndodhet i shtruar në spital prej 24 Gushtit për shkak të komplikacioneve me frymëmarrjen. Ditën e djeshme, kryeministri Rama i akordoi “Medaljen e Mirënjohjes Publike” dhe tha se “lutet për shëndetin e tij”.
/f.stafa