Pasi vitin e kaluar, kaluam një muaj në Shqipëri, këtë vit propozuam një itinerar pushimesh me makinë, pra një udhëtim që përfshinte zonën e Korçës dhe Voskopojës, qyteti i famshëm i arumunëve nga i cili kanë mbetur vetëm disa gjurmë, dhe disa ditë në bregdetin shqiptar, shkruan në një artikull Adina Popescu, të botuar në revistën e përjavshme rumune “Dilema veche”.
Ne nuk bëmë rezervime, pikërisht për të qenë sa më spontan dhe fleksibël këtë herë.
Vitin e kaluar, kalova vetëm disa orë në Voskopojë, kohë jo e mjaftueshme për të ndjerë atmosferën e vendit, kështu që vendosa të kthehesha.
Planifikuam një vizitë dyditore, si përfundim qëndruam katër ditë në një bujtinë.
Bujtina dhe restoranti ndodheshin në një skaj të fshatit, ku mund të shijoje qetësinë absolute, të trazuar nga kërcitjet e këmbëve kuajve që kullosnin lirisht në anën e malit të mbuluar me bar.
Ajo që vura re në Shqipëri dhe në vizitën time të parë ishte se pothuajse të gjithë fëmijët, pavarësisht moshës, ndihmonin prindërit në bizneset e tyre të vogla, ndoshta me idenë se ata do ta drejtonin vetë një ditë.
Në Rumani, nuk ekziston i njëjti mentalitet me fëmijët e sipërmarrësve.
Pronari i bujtinës kishte dy djem, njëri 14 vjeç dhe tjetri 9 vjeç.
Shumë të vëmendshëm ndaj detajeve ashtu edhe ndaj dëshirave të klientëve, ata kryenin punë të vogla pa u dukur si punë e përditshme, duke filluar nga rregullimi i tavolinave dhe shërbimi deri te bartja e bagazheve.
Voskopoja ka qënë qendra më e madhe tregtare e arumunëve në Ballkan, në vitet e saj të lavdisë në fund të shekullit të 18-të, me 60 000 banorë, qyteti i dytë pas Konstandinopojës, me shumë fabrika, 70 kisha, banka, një shtypshkronjë, madje edhe një akademi.
Në 1788, qyteti u shkatërrua pothuajse plotësisht nga trupat e Ali Pashës, dhe banorët e tij arumunë u shpërndanë në të gjithë gadishullin.
Në ditët e sotme, nga qyteti i vjetër kanë mbetur vetëm pak gjurmë.
Tani, Voskopoja është një fshat malor turistik me mbi 1 000 banorë, me shtëpi guri dhe gardhe, oborre plot bimësi, por edhe një vend pelegrinazhi për arumunët.
Fshati ka shpirtin e vet, jashtë kësaj bote ose më mirë përtej saj, ku mund të ndjeni gjithë ngarkesën e saj historike, por edhe ritmin e qetë të jetës në fshat.
Taverna më e njohur, e cila në fakt quhet “Voskopoja”, në fundjavë mbushet plot.
Aty hëngrëm një vakt me mish qengji dhe brinjë derri të gatuara ngadalë; byrek me djathë të spërkatur me gjalpë dhe hudhër, që i shoqëruam me verë.
Shijuam një ndjenjë paqeje, një gjendje sikur bota e jashtme me të gjitha problemet dhe të këqijat e saj nuk ekzistonte më.
Nga Korça në bregdetin jugor shqiptar, është vetëm 200 kilometra dhe keni dy mundësi rrugësh, një rrugë disi logjike që gjarpëron nëpër malet në jug, duke kaluar nëpër qytetin piktoresk të Përmetit dhe një rrugë akoma më e gjatë që ngjitet pak në veri, pastaj zbret në jug.
Nëntë male dhe nëntë lugina, si në përralla, peizazhe marramendëse, dhe pas gati pesë orësh ne mbërritëm në zonën e vendosur mes dy maleve, që ishin tërhequr mënjanë si një perde ku shihej një hapësirë blu, një qiell i përmbysur. Më në fund, Deti!
Dhe… nuk ka lumturi më të madhe se sa të arrish në det pas një udhëtimi të gjatë.
ATSH