Në 3-mujorin e dytë të vitit që përkon me periudhën kohore prill-qershor u dhanë më shumë leje ndërtimi se kurrë më parë. Kërkesa e lartë për blerje apartamentesh, shoqëruar me nevojën për zgjerim të strukturave akomoduese si pasojë e turistëve bëri që në gjithë vendin të jepeshin 509 leje ndërtimi nga 339 një vit më parë.
Marrë në harkun e gjashtë muajve, numri i lejeve të ndërtimit të dhëna në vend ka arritur në 938 nga 736 në gjysmën e parë të vitit të shkuar.
“Janë shqiptarë të Kosovës, ata të Maqedonisë së veriut, por edhe vendeve të tjera afër dhe larg që blejnë apartamente në Tiranë. Gjithashtu sot shumë apartamente po përdoren për dhënie me qira ditore, kryesisht për turistët ndaj edhe ka kërkesa për ndërtime të reja”, tha Erjon Harizi, Kryetar i Shoqatës së Ndërtuesve.
“Si kurrë më parë edhe ky vit demonstroi se nuk kemi kapacitete akomoduese për turistët. Në dy vitet e fundit ka pasur leje të konsiderueshme, por unë mendoj se ka nevojë edhe për më shumë”, u shpreh Harizi.