Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike në Policinë e Shtetit, Rebani Jaupi, së bashku me Ambasadorin e Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci, takuan në Durrës, punonjësit e Policisë së Shtetit dhe ata të Policisë italiane, që janë të angazhuar për patrullime të përbashkëta, përgjatë vijës bregdetare, për sigurinë e qytetarëve, turistëve dhe pushuesve.
Drejtor Jaupi dhe Ambasadori Bucci kanë falënderuar punonjësit e Policisë shqiptare dhe të asaj italiane, për bashkëpunimin dhe angazhimin maksimal, në funksion të rritjes së parametrave të sigurisë përgjatë sezonit turistik 2023. Këto patrullime të përbashkëta tregojnë marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Policisë shqiptare dhe asaj italiane, bashkëpunim i cili vijon të garantojë rend dhe siguri publike, për qytetarët dhe vizitorët nga e gjithë bota.
Efektivët e Policisë italiane që kanë patrulluar së bashku me kolegët e Policisë së Shtetit, gjatë sezonit turistik, shprehën vlerësim maksimal, jo vetëm për angazhimin e efektivëve të Policisë, por dhe për procedurat standarde të punës, me hartim dhe zbatim të nivelit europian.
Ky bashkëpunim ka rezultuar me adresimin, ndjekjen dhe dhënien zgjidhje për rastet që kanë patur të përfshirë qytetarë të të dy vendeve, si dhe me verifikimin në sistemet reciproke dhe në ato unike, të të dhënave të shtetasve të dyshuar për krime të ndryshme.
Nisur nga rezultatet tejet pozitive të këtij sezoni turistik, si dhe nga rritja e numrit të pushuesve italianë që zgjedhin vendin tonë, Jaupi propozoi që patrullimet e përbashkëta me Policinë italiane, në vijim të shtrihen dhe për Policinë Rrugore.
Në vitin e katërt të tij, patrullimet e përbashkëta bazohen në Memorandumin e Mirëkuptimit ndërmjet 2 palëve, të nënshkruar nga drejtuesit e policive, më datë 13 dhjetor 2017, dhe parashikon 24 operatorë të strukturave të Policisë, të vendosur në Durrës, Vlorë, Sarandë dhe Himarë.
/a.r