Një 21-vjeçar është arrestuar nga Policia e Sarandës pasi u kap duke shpërndarë kokainë në lokalet e natës në Ksamil dhe Sarandë. Arrestimi i tij u bë në aksin rrugor “Sarandë – Ksamil”, pranë gjirit të Hartës dhe së bashku me të u arrestua edhe një pasagjer në makinë i cili kishte dijeni për veprimtarinë e të riut. Policia ka sekuestruar një armë zjarri pistoletë, një sasi të konsiderueshme parash, e përfituar nga shitja e lëndëve narkotike, një sasi dozash kokaine, një armë gjahu dhe municion luftarak.
Njoftimi i Policisë
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në vijim të punës për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë sezonit veror, të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj paligjshmërive, bazuar në inteligjencën policore se një shtetas qarkullonte me automjet, i armatosur, dhe shpërndante lëndë narkotike, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Narkotikëve, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Koordinatat”.
Gjatë operacionit, në aksin rrugor “Sarandë – Ksamil”, pranë gjirit të Hartës, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar automjetin e dyshuar tip “Benz”dhe kanë ndërhyrë për ta bllokuar.
Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale nga shërbimet e Policisë, u bë bllokimi i automjetit, kapja në flagrancë e drejtuesit, shtetasit A. D., 21 vjeç, banues në Rusan, Delvinë, dhe e pasagjerit, shtetasit A. B., 22 vjeç, banues në Sarandë.
Gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit A. D. dhe kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë me municion luftarak, një sasi dozash kokaine dhe një shumë të konsiderueshme parash (3 180 euro dhe 45 000 lekë).
/a.r