Liqeni i hidrocentralit të Fierzës më i rëndësishmi në kaskadën e Drinit ka qëndruar në pjesën e parë të këtij viti më shumë afër maksimales historike sesa asaj mesatare.
Të dhënat e publikuara nga Enti Rregullator i Energjisë sipas raportimeve të bëra nga kompanitë publike të sektorit tregojnë se nga janari në qershor Fierza ka qenë dukshëm mbi mesataren historike duke nisur në muajin e parë më nivelin 293.16 metra ndërkohë që mesatarja historike për këtë muaj është 275.5 metra.
Në Shkurt niveli ka zbritur në 286.4 metra por sërish mbi mesataren historike e cila për shkurtin është 276.9 metra. Në muajin mars 2023 Fierza u rrit në 291.47 teksa mesatarja historike është 279.82 metra.
Përveçse situatës së mirë hidrike që ndryshoi nga nëntori i vitit të shkuar dhe që vijoi edhe në pjesën e parë të këtij viti duket se kriza është ajo që ka detyruar mbajtjen në nivele më të larta sesa mesatarja historike e rezervës energjetike.
E përballur me çmime të paprecedentë më parë Shqipëria si shumë vende të tjera u detyruan të shpenzonte mbi 500 milionë euro për blerje energjie në vitin 2022.Kombinimi i situatës së favorshme hidrike dhe menaxhimi më i kujdesshëm i rezervës ujore duket se erdhi si rrjedhojë e parandalimit të të njëjtit skenar të verës 2022 në verën 2023.
Tabloja e nivelit të Fierzës ka ndryshuar tërësisht këtë vit po të kemi parasysh që nga viti 2021 kur nisi kriza e energjisë, liqeni ishte nën mesataren historike duke qëndruar kështu për të pakën 16 muaj dhe kjo ndryshoi vetëm në nëntorin dhe dhjetorin e 2022-it.
Kaskada e Drinit funksionon në bazë të një rregulloreje dhe referuar kësaj të fundit sa i takon nivelit të Fierzës ajo parashikon që në periudhën 1 prill – 1 tetor Fierza të mbahet në kuotën 295 absolute, 296 relative. Për periudhën 1 tetor – 1 mars, niveli është në kuotën 289 metra absolute dhe 290 metra relative.
/f.stafa