Klajdi Bitri, 23-vjeç humbi jetën ditën e Dielë në formën më të padrejtë. “Një shembull perfekt i integrimit”, kështu cilësohet i ndjeri në një artikull të medias së njohur italiane Ansa.
Sipas kësaj të fundit, Klajdi punonte në port për një kompani të ndërtimit të anijeve dhe jetonte me vëllain e tij më të vogël.
Raportohet se ai ishte integruar më së miri me jetën dhe banorët e Ancona-s. I riu me origjinë shqiptare u vra në mënyrën më mizore teksa u përpoq të mbronte mikun e tij italian, me shtizë peshkimi në gjoks nga 27-vjeçari algjerian. Ky i fundit tashmë ndodhet në burg i akuzuar për vrasje me dashje.
Ndërsa hetimet për ngjarjen vijojnë, Këshilltarja Rajonale Lindita Elezi e cila është shtetase italiane, por me origjinë shqiptare ka nisur me mbledhjen e dëshmive. Elezi e përshkruan Klajdin kështu:
Ai dha gjithçka, dha jetën dhe për mua është një dëshmi e karakterit guximtar të popullit tonë që është gjithmonë i gatshëm për të mbrojtur ata që kanë nevojë. Punonte shumë, ishte pranë familjes dhe e telefononte nënën e tij çdo ditë.
Elezi thotë se është vënë në dispozicion të familjes së Klajdit për gjithçka atyre iu duhet si dhe po bën përgatitjet për organizimin e një proteste ose marshimi me anëtarë të komunitetit shqiptar, pasi vdekja e tij thekson ajo ishte absurde.
/a.r