Kryetari i Vetëvendosjes Visar Ymeri mbajti një konferencë për media në të cilën foli për rreziqet që po i vijnë Kosovës nga lëshimet që i bëri Thaçi karshi Serbisë vetëm e vetëm që të votohej për President. Por ata kanë folur edhe për Komunën e Prilluzhës, që sipas Ymerit, do të kontrollonte edhe linjitin për prodhim energjie.
“Thaçi nuk votohej dot për President pa u zotuar edhe një herë para Vuçiqit për themelim të “Zajednicës” dhe pa e marrë bekimin e tij. Votimi për Thaçin u shndërrua kështu në konfirmim të “Zajednicës”. Thaçi, sikur bashkëpunëtori i tij Mustafa, janë bërë një me “Zajednicën”. Sa më lartë synojnë të ngjiten, që ta kapin shtetin sa më gjerë e sa më thellë, aq më shumë duhet t’i japin Serbisë, vertikalisht në kompetenca e horizontalisht në territore”, tha Ymeri.
Ai shtoi se ky votim i kushtoi buxhetit të Kosovës shuma marramendëse parash, një licencë për terminal doganor, e kosto të tjera për të cilat sigurisht se do të dëgjojmë në të ardhmen, politizim të mëtutjeshëm të OSHP-së me përfaqësues të Listës Serbe, transmeton Koha.net.