Fredi Beleri, kandidat i opozitës për Bashkinë e Himarës, po qëndron ende në paraburgim në burgjet e Tiranës, por çështja e tij ka ngecur ndërsa pasojat diplomatike tashmë janë evidente në marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë
Kërkesa e fundit për lirimin me kusht të Belerit u shqyrtua të hënën e kaluar nga Gjykata Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Tiranës dhe u rrëzua, raportojnë mediat greke.
Reagime nga Athina dhe BE
Ministria e Punëve të Jashtme ka reaguar ndaj vendimit të ri refuzues, duke theksuar se ai “nuk është në përputhje me parimet e shtetit ligjor, prezumimin e pafajësisë dhe respektimin e të drejtave civile të të gjithë qytetarëve” dhe se “është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me acquis evropiane, të cilën autoritetet shqiptare duhet ta respektojnë rreptësisht”.
Duke iu referuar, indirekt por jo qartë, detyrimeve që lidhen me proçesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Reagime ka pasur edhe nga Brukseli, nga Këshilli i Komunave dhe Rajoneve Evropiane të BE-së, i cili ka lëshuar një deklaratë në të cilën shpreh shpresën se çështja do të zgjidhet shpejt “që z. Beleri të betohet dhe të marrë përsipër detyrat që i janë caktuar të mandatuara nga votuesit e tij”, duke shtuar se “ne besojmë se proçesi do të mbështesë parimet themelore globale të shtetit të së drejtës, të drejtave të njeriut, demokracisë, lirisë së shprehjes dhe transparencës.”
Vetë Beleri deklaroi se mbetet në paraburgim “me vendim politik”. Ndërsa menaxhimi i çështjes së tij e ka futur në konflikt të drejtpërdrejtë me Edi Ramën, ku e akuzon për mosnjohje të minoritetit grek dhe plane goditëse për shfrytëzimin ekonomik të tyre.
Afatet
Beleri po qëndron në paraburgim që prej 12 majit me akuzën e tentativës për blerje votash dhe sipas ligjit zgjedhor shqiptar, nëse një kryetar bashkie nuk betohet brenda tre muajve, ai shpallet i shkarkuar dhe zgjedhjet përsëriten.
Sipas burimeve ligjore, ka dallime në mendime se kur skadon saktësisht afati tre mujor, duke qenë se nuk ka asnjë precedent për zbatimin e kësaj dispozite legjislative.
Disa burime ligjore pohojnë se tremujori është llogaritur në bazë të kohës kur është mbledhur këshilli i qytetit të Himarës, afati skadon në mes të shtatorit. Sipas autoriteteve zyrtare të Shqipërisë, afati tre mujor ka skaduar që prej datës 14 gusht.
Të gjitha mundësitë janë të hapura
Tashmë është evident rreziku që Beleri të humbasë detyrën, ndërkohë që nuk dihet ende nëse do të mund të kandidojë sërish dhe nëse do të shpallen zgjedhje të përsëritura.
Tirana ende nuk ka treguar shenja të synimeve të saj, se kur do të mbahen ose do të vendoset nga qeveria, e cila sipas të njëjtave burime mund të interpretojë ligjin zgjedhor sipas dëshirës së saj.
• Skenarët më pozitivë për momentin është, nëse Tirana vendos t’i japë fund kësaj krize, që Belerit t’i jepet një leje administrative, qoftë edhe disa orëshe për të bërë betimin.
• Skenari i dytë është që qeveria shqiptare të shpallë zgjedhje në Himarë me Belerin në paraburgim pa qenë i dënuar. Në këtë rast, ai do të ruajë dosjen e pastër kriminale dhe do të mundet të jetë sërish kandidat qoftë edhe nga burgu.
• Skenari i tretë është që proçesi i Belerit të vazhdojë menjëherë, para thirrjes për përsëritjen e zgjedhjeve. Nëse shpallet i pafajshëm do të mund të kandidojë sërish për kryetar bashkie, por nëse dënohet ai nuk do të jetë më kandidat./m.j